Bashkia e Tiranës edhe njëherë ka denoncuar aksionet e INUK për prishjet e ndërtimeve pa leje, duke i cilësuar ato si prishje selektive.

“Nuk preken pallatet dhe objektet e miqve e klientëve të Edi Ramës, të ndërtuara pa leje dhe në shkelje të çdo ligji në hapësira publike. Prishjet selektive dhe tarifat e korrupsionit që qytetarët duhet të vazhdojnë të paguajnë për të shpëtuar objektet e ndërtuara me bekimin e Edi Ramës kur ishte kryetar bashkie kanë shtuar zemëratën e qytetarëve ndaj tij”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

E kuptojmë frikën e Edi Ramës nga revolta qytetare, vijon Bashkia e kryeqytetit, por ai nuk mund të fshihet pas sulmeve politike dhe të njëjtit tekst që lexohet rëndom nga zëdhënës të ndryshëm brenda mureve të partisë.

“Edi Rama, njeriu që betonizoi Tiranën, nuk mund të mbulojë dështimin me sulme politike ndaj Bashkisë së Tiranës. Edi Rama di vetëm të bllokojë, shkatërrojë dhe varfërojë qytetarët”, përfundon deklarata.

Top Channel