Bundesliga, Dortmundi me “petkun” e të panjohurit

26/10/2014 00:00

Paraqitja e mjeruar e Borussia Dortmundit në këtë fillimsezoni të Bundesligës nuk ka shfaqur ende shenjat e para të ndryshimit, edhe pse në Champions League, gjermanët e Jurgen Klopp kryesojnë grupin me 9 pikë të plota në 3 ndeshje të zhvilluara.

Dortmundi u mposht në “Signal Iduna Park” me rezultat minimal 1-0 nga Hannoveri, falë golit të Kiyotake diku nga mesi i pjesës së dytë, duke e parë veten tashmë 1 pikë dhe vetëm 1 vend mbi zonën e ftohtë të rënies nga kategoria, edhe pse është ende herët për këtë gjë, me vetëm 7 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje të luajtura.

Roberto di Matteo ka humbur ndeshjen e parë që prej marrjes së drejtimit të Schalkes, kjo pasi Bayer Leverkusen triumfoi 1-0 në “BayArena” me gol të Calhanoglu nga goditja e dënimit, duke u ngjitur në vendin e katërt të Bundesligës.

Hoffenheim e rriti edhe më tej nisjen pa humbje të sezonit, duke u ngjitur në vendin e dytë pas fitores 1-0 ndaj Paderbornit, ndërsa Christian Gentner ishte “heroi” i ndeshjes dramatike mes Frankfurtit dhe Stuttgartit, të përfunduar me rezultatin 4-5 në “Waldstadion”.

Hamburg ka humbur thellë në kryeqytet, ku Hertha ka shënuar plot 3 gola në “Olympiastadion”, në një ndeshje që momentalisht mund të konsiderohet si mes të rrezikuarve për rënie.

Top Channel