Deputeti demokrat Genti Strazimiri akuzoi INUK-un dhe Qeverinë për
prishjen selektive të ndërtimeve në kryeqytet. Ai i bëri thirrje
qytetarëve që të kundërshtojnë dhunën dhe arrogancën e Qeverisë.

“Edi Rama po lë dëshmi se miqtë e tij, klientela e tij janë të paprekshëm. INUK patrullon si bandë zuzarësh dhe ka krijuar një gjendje lufte kundër të pamundurve, atyre që nuk kanë lidhje me Edi Ramën, duke hedhur në tokë mundin dhe djersën, të vetmen mundësi që kanë për t’u ushqyer. Por asnjë gërvishtje nuk pësojnë ndërtesat e lokalet Koco Kokëdhimës, të Vangjush Dakos, kryetarit të PS në njësinë 10, kryetarëve socialist të minibashkive, zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, apo të vetë funksionarëve të lartë të INUK. A ka formë arrogance më revoltuese se sa një qeveri që sa herë mblidhet vendos se si të varfërojë popullin e saj, deri në bukën e gojës, madje me cinizëm, në këmbim “t’i dhurojë” “hapësira me bar” dhe “zona pedonale”? Të nderuar vëllëzër e motra të çdo bindje politike, Ka ardhur koha të reagojmë sot, ndryshe rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri mazokiste, që e shijon dhe meriton ndëshkimin dhe arrogancën e një sadisti”, tha Strazimiri.

Top Channel