Mbahet samiti i ministrave të Ballkanit

23/10/2014 00:00

Samiti i ministrave të Jashtëm dhe atyre të Ekonomisë, ku marrin pjesë
përfaqësuesit e të gjitha vendeve të rajonit, ka kaluar me pyetjet për
marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Ministrat shqiptarë janë pyetur kryesisht për ngjarjet e verifikuara në ndeshjen me kombëtaren shqiptare dhe fokusi ka qenë tek vizita e kryeministrit Edi Rama.

Qeverisja serbe nuk i ka bërë shumë publicitet kësaj ngjarjeje, në të cilën kanë marrë pjesë ministrat nga qeveria shqiptare, konkretisht ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Zhvillit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

“Situata midis Shqipërisë dhe Serbisë pas ndeshjes ka influencën e vetë në marrëdhëniet mes dy vendeve, por kjo nuk na pengon në mënyrë aboslute të jemi në Beograd dhe të diskutojmë me kolegët e Ballkanit dhe komisionerët e pranishëm çështjet esenciale për të ardhmen ekonomike dhe politike të Ballkanit dhe për gjithë rrugëtimin e integrimit të Ballkanit në BE”, deklaroi Ahmetaj.

Në takimin e ministrave, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, i cili tha se ngjarjet e fundit kanë treguar se dialogu është i domosdoshëm dhe kërkoi që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Dialogu duhet ketë një axhendë të qartë, një qëndrim të formuluar saktë dhe të përfundojë me një marrëveshje paqësore që parashikon njohjen, anëtarësimin e Kosovës në OKB, OSBE dhe organizata të tjera, si dhe fillimin e një procesi pajtimi mes vendeve tona”, tha Hoxhaj.

Takimin nga pala serbe e ka kryesuar ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, ndërsa nuk ka marrë pjesë kryeministri Aleksandar Vuçiç, siç ishte parashikuar.

Top Channel