Basha: Marrëveshje me garanci ndërkombëtare

23/10/2014 00:00

Opozita kërkon garanci nga ndërkombëtarët për marrëveshjen e synuar me
Qeverinë për t’i dhënë fund bojkotit dhe për të vijuar veprimtarinë
normale në Kuvend.

Kryetari i PD, Lulëzim Basha, deklaroi në Bruksel se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të varet nga humori i qeverisë, duke iu referuar kërkesës së pakicës për ngritjen e komisioneve hetimore.

“Si opozitë, por dhe si shoqëri shqiptare në vitin 2014, ne nuk mund të  pranojmë që zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i Kushtetutës, të jenë në varësi të humorit të qeverisë, apo shumicës. Prandaj, ne kemi propozuar një marrëveshje shumicë-opozitë për këto dy çështje, për shpërfilljen e paprecedentë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për kriminalizimin e Kuvendit. marrëveshje, e cila kërkon domosdoshmërisht garanci ndërkombëtare”, u shpreh Basha.

Basha akuzoi kryeministrin Rama për promovim trafikantësh në politikë, administratë e Kuvend. Ai dha këtë deklaratë në përfundim të mbledhjes së zakonshme të Partive Popullore Europiane, ku udhëheqësit e të djathtës pajtohen paraprakisht për çështjet që diskuton samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive.

Përgatiti ARTA TOZAJ

Top Channel