Anija e famshme “Queen Elizabeth” është ankoruar në radën e portit të Sarandës mëngjesin e së martës. Anija, që po përshkonte Adriatikun gjatë fillimit të javës, u përball me motin e keq dhe një stuhi detare devijoi lundrimin e saj drejt portit të Bodrumit në Turqi.
Agjentët detarë thanë se anija luksoze komunikoi me portin e Sarandës për të kërkuar leje ankorimi për disa orë, qysh të hënën pasdite. Autoritetet e portit kanë lejuar hyrjen në radë të një prej anijeve më të mëdha në botë dhe morën masa për pritjen e pasagjerëve, që do të vizitonin Sarandën.
Anija planifikohej të vizitonte portin e Sarandës në mesin e muajit Nëntor, por kjo mbërritje e paplanifikuar ishte një surprizë e bukur. Më shumë se 2000 pasagjerë elitarë dhe 1000 vetë staf i ekuipazhit kanë kaluar në Sarandë rreth 8 orë. Mbërritja e “Queen Elizabeth” provoi se kapacitetet pritëse turistike ishin të pamjaftueshme në Sarandë.
“Ne gjendemi këtu në hollin kryesor. Ky është i mbuluar tani me tri kate të tjera. Në këtë hapësirë janë vendosur zyra informacioni dhe menaxhimi, ndërsa në anën tjetër është e vendosur zyra e shitjeve të udhëtimeve të ardhshme në bord. Në të gjitha katet, ne mund të themi, që prej këtij pozicioni, se stili i përket artit ‘Deco’. Anija u ndërtua në vitin 2010, por stili kthehet pas në kohë për të imituar dekorin e një tjetër ‘Queen Elisabeth’, atë të vitit 1920. Pjesë të dekorit të kësaj hapësire janë dekoruar nga anëtarë të vetë familjes mbretërore. Kjo hapësirë e hollit kryesor është dekoruar nga një kushëri i Mbretëreshës. Këtu sipër kemi kafenenë ‘Opale’, kafenenë ‘Korinthia’ dhe një restorant plotësisht britanik. Ne kemi një bibliotekë me rreth 8 mijë libra dhe kjo është biblioteka e dytë më e madhe lundruese në botë”, tha Janice Collins.
Disa prej mjediseve të brendshme duken, sipas Janice, si kopje e anijes së dytë “Queen” dhe të tjera kanë evoluuar në vetvete stilin, që reflektohet në dhomat e famshme të ngrënies, baret, kopshtet, piano baret, sallat tradicionale të ballove, vallëzimeve dhe mbrëmjeve muzikore, të gjitha pothuajse klasike.
“Nuk është një restorant që ju mund të hani çdo ditë. Ky është një restorant i stilit ‘alla card’, ku ju rezervoni më parë një tavolinë”, shtoi më tej Janice.
Portreti i Mbretëreshës Elisabeth është vendosur në një prej sallave qëndrore, në mesin e anijes dhe, sipas Janice, është një prej mjediseve më të fotografuara të anijes. “Britania Clum”, restoranti masiv i Elisabetës, njihet si ndër restorantet më të mirë në detra me një kapacitet prej 840 vendesh.
“Shikoni unë jam një njeri që e kam ca frikë ujin, por këtu u ndjeva si në tokë. Unë nuk ndihem edhe aq mirë mbi ujë, por shumë miq këmbëngulën për të më thënë se duhet të ndërmerrja një udhëtim ‘cruz’ dhe ja ku jam. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Ne do të vijojmë në Siçili, pastaj në Napoli, dhe më pas nga Roma do të fluturojmë për në shtëpi”, thotë Jim Watson.
“Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë më parë për Shqipërinë, ndaj është shumë interesante që jemi këtu. Unë besoj se vendet ish-komuniste, përfshi edhe Shqipërinë, janë më pak të njohura për pjesën tjetër të Europës. Unë kam qenë në Kroaci dhe në Bullgari, tani gjendem pranë këtij qyteti mahnitës në Shqipëri, çka vërtet nuk e kisha idenë se ekzistonte dhe që është mahnitës”, shton Elaine Krishtow.
“Ne kemi një punonjës të stafit tonë për çdo dy pasagjerë. Ne ofrojmë këtu shërbim ‘white star’, që do të thotë ekselencë dhe buzëqeshje. Ne kemi kredon tonë, nuk themi kurrë jo! Nëse ka diçka që ata e dëshirojnë, vazhdimisht përpiqemi ta ofrojmë dhe besojmë se që prej fillimit tonë e kemi merituar besimin e tyre”, tha Janice.
Alistar Clark, kapiteni i Elisabetës, ka lundruar nëpër detra me të tri anijet “Queen”. Ai duket i lumtur që është ndalur në portin e vogël të Sarandës dhe flet për një rikthim të Elisabetës këtu në Nëntor.
“Koha ka qenë shumë e keqe dhe për këtë arsye na u desh të braktisnim udhëtimin për në Bodrum. Ndaj menduam për këtë port të veçantë të Shqipërisë. Ne do të vinim këtu sipas planifikimeve të mëparshme në Nëntor, por meqenëse ne e humbëm një port dhe koha këtu ishte shumë e mirë, thamë përse jo, përse të mos e provojmë që tani. Unë nuk kam dalë ende vetë, por i pashë pasagjerët që ishin shumë të lumtur”, thotë Alistar Clark, kapiten.
“Queen është thyerja e parë e akullit për anijet e mëdha. Kjo, sepse deri më sot, për arsye të ndryshme duke filluar nga siguracionet që kërkojnë këto lloj kompanish, nga termat e porteve apo atraksionet përreth, janë të vështira sepse kanë një kapacitet shumë të madh”, është shprehur kreu i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare.
Top Channel