“Jo në kurthin e politikës së vjetër”

22/10/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për Fox News deklaroi se Shqipëria e Serbia duhet të tejkalojnë ngjarjen e ndodhur në Beograd gjatë ndeshjes së dy kombëtareve të futbollit, duke vendosur në radhë të parë, sic u shpreh ai, interesin për të ecur përpara dhe bashkëpunuar për prosperitet.

“Është vërtet për t’u trishtuar që kjo ngjarje po cenon shumëçka nga ato që kemi arritur deri tani. Por ne e kemi thënë dhe do e përsërisim se shqiptarët nuk do bien në kurthin e politikës së vjetër të urrejtjes dhe të mënyrës së vjetër të komunikimit, mbushur me një gjuhë urrejtjeje që fatkeqësisht karakterizoi autoritetet serbe gjatë ditëve të fundit. Ne besojmë ende fort se duhet ta hedhim prapa krahëve këtë ngjarje duke vendosur në radhë të parë interesin e vendeve tona dhe interesi i vendeve tona është të shkojmë përpara dhe të punojmë së bashku për prosperitet”, tha ndër të tjera Kryeministri Rama.

Fox News: Autoritetet serbe akuzojnë vëllain tuaj si shkaktar i fluturimit të flamurit mbi stadium. Cila është përgjigja juaj për këtë?

“Politikat e tyre nuk mund të udhëhiqen nga një ndeshje futbolli dhe nga incidentet e një ndeshjeje futbolli. Duhet të theksoj se gjithë kjo është qesharake, dhe këto akuza janë qesharake. Nuk ka asnjë mundësi që droni të jetë komanduar nga shqiptarët që ishin të pranishëm në Beograd, sepse ne nuk dërguam mbështetës për të parë ndeshjen. Më duhet, gjithashtu, të nënvizoj se sa e brishtë është paqja jonë dhe sa fort na duhet të punojmë, sepse në fund të ditës, çfarë ndodh? Një flamur fluturon mbi stadium, dhe çfarë pastaj? Është kjo një arsye që justifikon gjithë këtë dhunë, gjithë këtë urrejtje dhe gjithë këto deklarata të cilat nuk ndihmojnë që Ballkani të shihet si një rajon që e ka lënë të shkuarën pas? Dhe nga ana tjetër duhet të theksoj se ajo ç’ka ishte më shumë shqetësuese, ishin thirrjet raciste në stadium të 30 mijë vetave që për 40 minuta bërtitën “vdekje shqiptarëve”, u përgjigj Rama.

Top Channel