E gjithë mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar të Partisë
Socialiste është përqëndruar në votimin e të enjtes, pasi Komisioni
hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të
Drejtësisë dhe një anëtari tashmë e ka miratuar raportin për këtë
çështje.
Burime nga kjo mbledhje i pohuan Top Channel se deputetët socialistë për më shumë se 40 minuta kanë dëgjuar një ekspoze të detajuar për gjetjet e këtij komisioni hetimor nga kreu i tij Armando Subashi.
Zoti Subashi ka deklaruar se “tashmë është e provuar se KLD ndodhet jashtë cdo binari kushtetues dhe ligjor”. I njëjti burim citon zotin Subashu të ketë relatuar se “vendimet e marra nga KLD-ja janë tërësisht politike dhe nepotike”.
Sakaq më tej Subashi është ndalur edhe në rolin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani njëherazi edhe kreu KLD-së.
“Në mbi 90% të vendimmarrjes së KLD-s mbledhjet janë drejtuar nga zoti Nishani” ka pohuar Subashi i cili kështu indirekt ka bërë pergjegjes edhe kreun e shtetit për situatën në KLD.
Në fund të mbledhjes drejtuar nga kreu deputetëve socialist Gramoz Ruçi i gjithë grupi parlamentar socialist është dakortësuar që vota e tyre të enjtes të jetë pro kërkesës së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Elvis Çefes dhe Lulzim Lelçajt.
Top Channel