“BE nuk na kërkoi të mos anulonim vizitën”

20/10/2014 00:00

Duke iu referuar incidenteve dhe dhunës së prodhuar në ndeshjen Serbi-Shqipëri në stadiumin “Partizani” të Beogradit, por edhe retorikës ekstreme nacionaliste që pasoi, kryeministri Rama tha se Ballkani pa Europën e shpresës, siç e cilësoi ai, është një fuçi baruti.

Sipas kryeministrit, anulimi i vizitës në Beograd nuk ishte përgjigjia e duhur ndaj padrejtësisë që iu bë shqiptarëve.

“Anulimi i kësaj vizite në Serbi nuk do ishte përgjigjia e merituar për gjithçka të padrejtë që iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin serb. Por do të ishte ulja e Shqipërisë dhe shqiptarëve në nivelin e një lufte deklarative shterpë, me pasojë abortimin e procesit historik që nisi në Berlin. Askush nuk më ka marrë në telefon për të më thënë ‘mos e anulo takimin me kryeministrin serb’. Pse e them këtë, sepse unë e marr si kompliment të madh për imazhin e ri që po i japim Shqipërisë dhe për besimin që kemi krijuar tek imazhi evropian pas cënimit të rëndë që politika i bëri vendit tonë. Ne nuk na bën europianë apo anti-europianë askush përveç vetëvetes. Shqipëria evropiane nuk është një fije bari në një fushë futbolli që mund të shkulet me një goditje, por një trung që rrënjët e veta i ka thellë në historinë e saj”, deklaroi Rama.

Në konferencën “Itali-Shqipëri, një partneritet europian”, ku merrte pjesë edhe ish-kryeministri i vendit fqinj Romano Prodi, zoti Rama nuk harroi të lëshonte edhe një batutë në formë përgjigjeje për akuzat e ardhura ndaj vëllait të tij, por edhe sportivitetit që duhet të prodhojë një ndeshje futbolli.

“Pas më pak se 1 muaji bëhet realitet edhe një ëndërr tjetër e shqiptarëve. Shqipëria do të luajë me Italinë. Shqiptarët do të mund të shkojnë në stadiume me flamujt e tyre, por nëse duan edhe me dronët e tyre, që tashmë shiten në supermarketet gjermane si ‘albanichedrone’ dhe kushtojnë nja 5 euro. Askush nuk e di autorin e dronit dhe vëllait tim i ra fatkeqësia të hyjë pa bërë asgjë në listën e heronjve të rremë ballkanikë. Sa shumë ka Ballkani heronj të tillë që nuk kanë bërë asgjë”, tha Rama.

Top Channel