Vuçiç mund të shënojë autogol

19/10/2014 00:00

Askush nuk e di nëse do të realizohet apo jo takimi i shumëpërfolur i Beogradit. Por me sa duhet së paku nga telefonatat që vetë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka pranuar se ka bërë, presioni ndërkombëtar për mosanulimin e vizitës së Edi Ramës në Beograd është fokusuar i gjithi tek shefi i qeverisë serbe.

Nuk është e vështirë të kuptohet se as Zv/Presidenti amerikan Joe Biden dhe as Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk janë marrë në telefon nga shefi i qeverisë serbe, por kanë ngritur telefonin për të folur me të.

Këmbëngulja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për të shkuar në Beograd e ka lënë topin në gjysmëfushën serbe duke u lënë fqinjëve zgjedhjen se si duan të duken në sy të Europës, e veçanërisht të kancelares gjermane, e cila ka qenë një shtysë e fuqishme për takimin mes Ramës dhe Vuçiçit, që e shenjoi atë si një nga objektivat afatshkurtër të procesit të nisur në Berlin nën lidershipin e saj.

Prandaj refuzimi i Vuçiç për të pritur kryeministrin shqiptar në Beograd mund të shndërrohet në autogol, sepse pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit e më pas, refuzimi do të zbehte çdo shpresë se në kryeqytetin serb ka nisur era e re e një lidershipi që sheh nga e ardhmja.

Kryeministri Vuçiç deklaroi se në fundjave do të vendosë nëse do të presë të mërkurën homologun shqiptar, ndërsa të hënën duhet të takohen përfaqësuesit e protokollit të të dy kryeministrave për organizimin e vizitës.

Por ende nuk ka asnjë konfirmim as për një takim të tillë. Zyrtaret në Beograd nuk kanë kthyer asnjë përgjigjje për draft-axhenden e propozuar nga pala shqiptare edhe pse para disa ditësh Tirana i dorëzoi ambasadorit serb në Shqiperi, Zariç një notë verbale.

Në marrëdhëniet mes shteteve nuk vlerësohet aspak normale dhe është jashtë çdo norme dhe praktike protokollare që një takim i paracaktuar, të mos ketë përgjigjen për draft-axhendën e  atij që bën ftesën. Kjo me sa duket nuk mund të kapërdihet lehtë në Perëndim, nga selite më të rëndësishme të të cilit Beogradit po i tërhiqet vëmendja.

Pas numrit 2 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shefes së qeverisë gjermane, kryeministrit Vuçiç i ka telefonuar edhe kryeministri i Francës, i cili pritet që ta vizitojë së shpejti Serbinë. 

Top Channel