PD: Serbia të ndalë aktet e dhunës

18/10/2014 00:00

Partia Demokratike deklaroi sot se shqiptarët kudo ku jetojne ne rajon
kanë treguar se janë të gatshëm të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët
me fqinjët e tyre.

Deputeti Aldo Bumçi theksoi se bazuar ne kete parim dhe besim,  u bëjmë edhe një herë thirrje autoriteteve serbe së pari të marrin të gjitha masat për ndaljen e sulmeve barbare ndaj jetës dhe pronës së shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të ndëshkojnë përgjegjësit pa hezitim.

“Duke qenë se sulmet ndaj shqiptarëve u ndërmorën mbas deklaratave të papërgjegjshme të zyrtarëve më të lartë serb, autoritetet serbe kanë përgjegjësinë e madhe për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshme të situatës dhe rikthimin e normalitetit.Ne i bëjmë gjithashtu thirrje autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që të bëjnë gjithçka në mbrojtje të jetës dhe interesave të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Serbi. Tirana dhe Prishtina duhet të ndërmarrin një aksion diplomatik për të njoftuar institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë kryesorë për zhvillimet e fundit në Serbi dhe cënimit që i bëhet me këtë sjellje frymës së bashkëpunimit dhe arritjeve të jashtëzakonshme që janë shënuar deri më sot. Po kështu u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, ne Serbi dhe kudo ndodhen, ne rajon dhe me gjere, të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo lloj provokimi, dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në lartësinë e vlerave më të mira qytetare dhe kombëtare”, tha Bumçi.

Top Channel