Gjetan Keta mbron titullin

18/10/2014 00:00

Boksieri shqiptar Gjetan Keta ka mposhtur me ‘knock out’ rusin Marat Kazev, duke mbrojtur titullin e kampionit euro-aziatik për kategorinë WBC.

Në hapje të evenimentit sportiv, që është mbajtur në ringun e ngritur në Bulqizë, Keta fillimisht përshëndeti lojtarët shqiptarë që mbrojtën flamurin tonë në Serbi, ndërsa garantoi se publiku shqiptar, ndryshe nga ai serb do ta respektojë kundërshtarin.

“Respektin e meritojnë ata lojtarë shqiptarë që në Serbi nuk e lanë flamurin shqiptar të përdhosej. Ne shqiptarët, ndryshe nga populli serb jemi një vend mikpritës dhe do jem unë i pari që do t’i jap dorën kundërshtarit”, tha Keta.

Dhe në fakt, sportdashësit shqiptarë në këtë takim e respektuan tërësisht himnin rus kur u luajt për boksierin Kazev.

Sa për ndeshjen që pasoi, ajo ka nisur me taktikë ofensive për Ketan dhe difensive për Kazev, i cili ka qenë tepër i mbyllur në mbrojtje.

Raundi i parë përfundoi i barazvlefshëm, i dyti me epërsinë e boksierit shqiptar dhe në të tretin erdhi dhe knock out-i, me Ketan që e goditi kundërshtarin në pjesën anësore të trupit, goditje të cilës Kazev i rezistoi pak sekonda para se të binte në tapet.

Në përfundim, të dy atletët në shenjë respekti përqafuan njëri-tjetrin.

Top Channel