Durrës, protestë për pasigurinë në rrugë

18/10/2014 00:00

Një grup banorësh të zonës së ish-kënetës në qytetin e Durrësit kanë protestuar pasditen e së shtunës për pasigurinë që kanë gjatë lëvizjes në rrugë.

Protesta u zhvillua në vendin ku pak ditë më parë u aksidentua për vdekje një banore e zonës, e cila u përplas nga një makinë teksa po kalonte rrugën.

Protestuesit kërkuan nga policia rrugore dhe Bashkia e Durrësit që t’i kushtojnë vëmendje të posaçme kësaj zone periferike, por me shumë lëvizje automjetesh dhe këmbësorësh.

Ata kërkuan vendosjen e sinjalistikës, si dhe patrullime të vazhdueshme të shërbimeve policore për të disiplinuar automjetet që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe lëvizin me shpejtësi të lartë në këtë zonë të banuar.

Top Channel