Tirana, Serbisë: Ndalni aktet e dhunës

17/10/2014 00:00

Pas raportimit të ngjarjeve në Vojvodinë, ka reguar Ministria jonë e Punëve të Jashtme.

Dikasteri i diplomacisë shqiptare i është drejtuar autoriteteve zyrtare të Serbisë, me kërkesën për të marrë masa të menjëhershme për ndalimin e akteve të tilla kriminale kundër shqiptarëve në Serbi dhe garantimin e qetësisë dhe sigurisë së jetës, sipërmarrjes dhe pronave të tyre.

Deklarata e Ministrisë së drejtuar nga Ditmir Bushati thotë se, “me shqetësim dhe indinjatë dënon sulmet e shumta që janë ndërmarrë këto ditë kundër jetës, pronës dhe sipërmarrjes së shqiptarëve që jetojnë në Serbi”.

“Aktet vandale kundër shqiptareve në Sombor, Stara Pazova, Novi Sad dhe rajone të tjera janë vazhdim dhe shprehje e një fushate të qëllimshme antishqiptare”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë sonë të jashtme.

Ajo kërkon vënien përpara përgjegjësisë së autorëve të akteve të tilla të dënueshme, jo vetëm në zbatim të ligjit, por edhe si provë e gatishmërisë dhe vullnetit real për bashkëpunim mes dy shteteve. Akte të tilla dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës u shërbejnë vetëm nxitjes së urrejtjes dhe vështirësojnë kthimin në normalitet të situatës”, – mbyll reagimin Ministria e Punëve të Jashtme, përmes këshilltarit për komunikim, Glevin Dervishi.

Top Channel