Rama: Rruga e Ballkanit është drejt BE-së

17/10/2014 00:00

Pas leksionit të mbajtur në  Forumin John F. Kennedy Jr. në Institutin e
Politikave, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një sërë pyetjesh
që lidhen me ndeshjen e futbollit Serbi Shqipëri dhe atë që do ta
pasojë  në aspektin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ndeshja e futbollit na tregoi se kemi akoma shumë për të bërë në mënyrë që ritmi i ndryshimit të jetë, solid,  i qëndrueshëm dhe i pathyeshëm. Sinqerisht – kjo përtej fjalimit – pas asaj që ndodhi, ne jemi duke u përballur me dy anë të medaljes. Nga njëra anë me të kaluarën e dukshme mbushur me urrejtje, me fjalor të pakontrolluar plot me akuza dhe me gishtat e drejtuara tek tjetri si fajtor i kësaj situate të pakëndshme; dhe nga ana tjetër, shpresat dhe ëndrrat që ky ndryshim fantastik në Ballkan ka krijuar dhe që ka bërë realitet përpara syve tanë një horizont mundësish”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria dhe Serbia duhet të shikojnë nga e ardhmja europiane.

“Ndaj, rruga e parë është ajo më e lehta e kthimit mbrapa dhe e përgjigjes me të njëjtin ton, me të njëjtën gjuhë të vjetër të politikës. Por, a ia vlen të luftosh për këtë rrugë dhe nëpërmjet saj? Apo është më mirë të luftojmë për të kaluar edhe këtë moment kaq të trishtueshëm dhe zhgënjyes dhe të shikojmë përpara për hir të gjeneratave të tjera dhe për hir të shansit që na është dhënë nga kjo mundësi historike; që të gjithë së bashku të shikojmë drejt së ardhmes. Të cilën, kemi mundësinë fantastike ta shohim si një horizont konkret, në horizontin e Bashkimit Europian? Unë besoj se kjo duhet dhe kjo do jetë rruga jonë, rruga e Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama u pyet nëse vizita ne Beograd mund të sjellë   një implikim negativ në mardhëniet mes dy vëndevet, pasi  Serbia mund ta konsiderojë vizitën  si një nënshtrim ndaj Serbisë, teksa gjatë këtyre ditëve ka pasur propagandë antishqiptare plot me dhunë.

“Më duhet të pranoj se serbët treguan se kanë një fantazi më të madhe se ne dhe shumë më tepër imagjinatë katastrofike sesa ne jemi në gjendje të kemi, sepse ata janë ende në telashe të mëdha  me të kaluarën e tyre. Kur unë dëgjova për gjithë këta njerëz,-  që në njëfarë mënyre arritën të mashtronin edhe botën shpresoj vetëm për një moment, – që gjithçka ndodhi ishte vetëm për shkak të një flamuri. E kur unë pashë gjithë ata njerëz që luftonin me flamurin e një vendi tjetër, sinqerisht më erdhi keq për ta, më erdhi keq. Problemi ynë është që të sigurojmë që nuk duhet të humbasim këtë mundësi fantastike që ne kemi, dhe ne mund t’i tregojmë botës, mund t’i tregojmë Europës, që ballkanasit janë në gjendje të ecin përpara dhe se ballkanasit nuk e meritojnë të izolohen siç ata kanë qenë të izoluar. E, duke u kapur të gjithë në kurth nga një ndeshje futbolli, ne mund ta dëmtojmë më shumë veten tonë, vetë, duke e vetëizoluar sërish Ballkanin dhe duke bërë që njerëzit të thonë: OK, ata janë të gjithë njësoj”, theksoi Rama.

Top Channel