“Fajin e ka UEFA”

17/10/2014 00:00

Mbrëmjen e së martës vetëm 42 minuta lojë u luajtën në stadiumin e Partizanit të Beogradit mes kombëtareve të futbollit të Serbisë e Shqipërisë, më pas fusha u “pushtua” nga huliganët.

Kjo nuk ishte një ndeshje si të tjerat për shkaqe, të cilat në fakt nuk kanë asnjë lidhje me futbollin, por që të njëjtat e detyruan UEFA-n të shmangte një përplasje mes Gjibraltarit dhe Spanjës në eliminatoret e Euro 2016. Megjithatë organi më i lartë i futbollit në Europë nuk e pa të arsyeshme të shmangte këtë përballje në futboll mes dy vendeve ballkanike. Është me të vërtet e çuditshme se si UEFA nuk e mori parasysh faktin që plagët janë ende të hapura për Kosovën.  

Ndjehesh i habitur kur sheh në shumë media që si shkaktar të këtij kaosi cilësojnë një mjet fluturues, i cili shpalosi një flamur të Shqipërisë etnike. Të cilësosh shkaktar një drone për atë që ndodhi mbrëmjen e së martës jo vetëm është absolutisht e gabuar, por më së shumti është keqinformim.  

Që prej hedhjes së shortit, Serbi-Shqipëri është shoqëruar nga një fushatë e urrejtjes racore në mediat sociale dhe jo vetëm. Që prej mbërritjes në aeroportin e Beogradit, stafi shqiptar është përballur me  dhunë psikologjike dhe tension. Hoteli në të cilin u akomoduan shqiptarët ishte nën rrethim, me qindra policë si në luftë mbrojtën perimetrin. Imagjinoni se sa e vështirë është për të përgatitur një ndeshje të tillë.

Disa ditë para ndeshjes autoritetet serbe kishin urdhëruar që në Beograd të merrnin pjesë në mbështetje të ekipit të tyre vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, duke ndaluar kosovarët, shqiptarët e Maqedonisë dhe të gjithë ata që kanë emigruar dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës, por në momentet e fundit u vendos që në stadium nuk do të futejë asnjë shqiptar.  

Një numër mjaft i vogël përkrahës të kombëtares shqiptare ia dolën të ishin të pranishëm në stadiumin e Beogradit, por edhe për këtë numër të vogël, të cilët kryesisht ishin të akomoduar në tribunën VIP, autoritetet serbe vendosën rregulla të veçanta: pa flamuj dhe pa simbole shqiptare, në rast të kundërt ata do të arrestoheshin menjëherë. Një kusht i padëgjuar ndonjëherë. Të vetmit flamuj shqiptarë ishin ata të cilët mbaheshin nga tifozët serbë, të cilët i vunë flakën, pavarësisht se UEFA dhe FIFA e dënon rrept këtë akt. Flamuri zyrtar, i cili është vendosur së bashku me flamurin e Serbisë, të UEFA-s dhe FIFA-s u fsheh.

Para fillimit të ndeshjes, huliganët serbë djegin flamurin e NATO-s, ku Shqipëria është anëtare nga 2009-të, ndërsa më pas edhe flamuj kuqezi. Në kor është thirrur “vrisni shqiptarët” dhe kjo ka ndodhur para mbërritjes së mjetit fluturues. Himni shqiptar është fishkëllyer në kor, aq sa nuk është dëgjuar fare, pavarësisht se lojtarët u përpoqën ta këndonin me zë të lartë atë. Gjatë gjithë minutave të luajtura në fushë hidheshin fishekzjarre nga tifozët vendas. Në një moment gjyqtari Atkinson u detyrua të ndërpriste ndeshjen për të larguar fishekzjarret nga fusha dhe për të qetësuar tifozët.

Për të gjithë ata që besojnë që politika u fut në fushën e lojës me ardhjen e dronit me flamurin e Shqipërisë etnike, theksoj se gjatë ndeshjes janë shpalosur parulla në gjuhën serbe “Kosova është Serbi” dhe parulla kundër Bosnjes dhe Kroacisë.  

Në një klimë lufte, ku ishin përjashtuar të gjithë tifozët shqiptarë, megjithëse shumë prej tyre zotëronin edhe bileta, duket se problemi i vetëm është një drone i sjellë nga jashtë, një përgjigje ndaj autoriteteve serbe që kishin mohuar praninë e tifozëve, sidomos të kosovarëve.

Mbetsh i tmerruar kur dëgjon edhe kreun e UEFA-s, Mishel Platini kur thotë se droni mund të mbante edhe bombë. Ndoshta Platini ka parë shumë filma aksion kohët e fundit, por deklarata e tij është krejtësisht e pavend dhe ai duhet të marrë përgjegjësinë që i takon duke qenë se lejoi Serbinë dhe Shqipërinë të jetën në të njëjtin grup.

Më pas, ajo që të befason më shumë është se gjyqtari i ndeshjes Atkinson e ndaloi lojën në minutën e 41’  pas përleshjeve të tifozëve serbë me forcat e sigurisë dhe hedhjeve të fishekzjarreve e bombave të tymit në fushën e lojës. Vetëm pas rreth 1 minute regjia serbe fokusoi praninë e dronit në stadium, për gati 90 sekonda nuk është vënë re prania e mjetit fluturues, i cili merret si justifikim për dhunën serbe.

Ndërprerja e minutës së 41’ ishte e dyta, sërish për trazira të shkaktuara nga turma vendase, e njohur tashmë në të gjithë botën për ngjarje të përsëritura si ajo në Xhenova të Italisë në vitin 2010, para, gjatë dhe pas ndeshjes Itali-Serbi. Ndërprerja tjetër e takimit kishte ndodhur në minutën e 36’ kur Agolli u afrua për të ekzekutuar një goditje nga këndi, por një fishekzjarr shpërtheu pranë tij. Lojtarët serbë, Lazovic dhe Kolarov kishin shkuar për të qetësuar tifozët. Pas rreth 40 sekondash loja rifilloi, por objektet vazhdonin të hidheshin në fushën e lojës.

Lojtari serb e mori me dhunë flamurin shqiptar dhe më pas deklaruan se ai veprim ishte për të vazhduar ndeshjen, por në fakt duhet të thërritej kapiteni Cana dhe të mos hiqej me forcë siç bëri Mitrovic.

Për të folur më pas për dhunën, deri tani nuk është folur për ata të cilët i hapën dyert tifozëve për të pushtuar fushën e të përleshen me vetëm 11 shqiptarët e vetëm në fushë. Askush nuk ka folur për pjestarin e forcave të sigurisë, i cili godet Canën që i doli në mbrojtje Balajt pas sulmit nga një huligan. Askush nuk ka vënë në dukje se një person si “Ivani i tmerrshëm” i dënuar përjetësisht për të mos u futur në stadiume, ai është futur edhe në fushën e blertë.

Dhe tashmë pritet vendimi i UEFA-s, e cila duhet të përqendrohet te dhuna para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes dhe jo te një mjet fluturues i ardhur nga jashtë stadiumit dhe jo me një bombë. Por bombë ka shkaktuar UEFA,  e cila nëse do të ishte një organ serioz nuk do të kishte lejuar këto dy kombëtare të ndesheshin së bashku./ ToskanaNews

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA