Në mbledhjen e radhës të komisionit hetimor parlamentar ngritur për punën e dy anëtarëve të KLD-së, nënkryetari Elvis Cefa ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të këtij komisioni, Armando Subashi dhe anëtarit Spartak Braho.

Sipas Cefës, shkarkimi i tyre kërkohet pasi sipas tij po akuzohen për një punë që në fakt KLD-të paraardhëse nuk e kanë bërë, megjithë detyrimin ligjor që kanë patur.

Dhe në këtë kontekst, sipas Cefës, nuk mund të anashkalohet fakti se pikërisht kryetari i këtij komisioni, Armando Subashi ka qenë anëtar për 5 vjet i KLD-së, konkretisht nga data 20 maj 2004 deri më 11 qershor 2009.

Sipas tij, veprimet apo mosveprimet për të cilat po akuzohen janë pasojë direkte e veprimeve apo mosveprimeve të kryera nga KLD-të e mëparshme dhe për rrjedhojë edhe nga Subashi, prezenca e të cilit në këtë komision hetimor është e papërshtatshme dhe bie ndesh me një nga elementët thelbësorë të procesit të rregullt ligjor, që është ai i paanësisë së gjykimit.

Ndërkaq, për anëtarin Spartak Braho, Cefa ka sjellë argumentet se ai, në korrik të këtij viti, në deklaratat e tij publike në media ka shfaqur bindjen personale për nënkryetarin e KLD-së. Për këtë arsye, sipas Cefës, Spartak Braho nuk garanton paanësinë e tij në këtë proces hetimor parlamentar.

Por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Brahos, i cili ka ritheksuar se deklaratat e tij nuk kanë pasur të bënin me punën e Cefës si nënkryetar i KLD-së.

“Akuzat që unë paskam bërë ndaj jush nuk lidhen me çështjen e hetimit të këtij komisioni. Në korrik kam shprehur një opinion lidhur me veprimtarinë tuaj si kryetar i AKKP-së. Në një rast, nga 220 hektarë janë kthyer 1.220 hektarë, pra 10 milionë metra katrorë më shumë. Këtë çështje e ka prokuroria dhe unë për atë lutem, që t’i të dalësh i pafajshëm. Nuk të kam thënë hajdut”, deklaroi Braho.

Ndërkaq, edhe kryetari i komisionit hetimor, Armando Subashi e ka cilësuar si të pabazuar në ligj këtë kërkesë. “Kërkesa është e pambështetur në ligj, nuk ka asnjë referencë dhe si e tillë komisioni s’ka ç’vendim të marrë. Që do të thotë se s’ka arsye për ta hedhur në votim”, tha Subashi.

Pas këtij debati, komisioni ka vijuar me marrjen në pyetje të nënkryetarit të KLD-së lidhur me veprimtarinë e tij.

Top Channel