Kanë kaluar vetëm dy ditë nga ndodhja e njërës prej ngjarjeve që do të mbahet mend gjatë, kur 42 minutat në stadiumin e Beogradit përfunduan ashtu sic e pamë të gjithë, megjithëse ndeshja duhej të ishte historike, një moment kthese…jo për mbrapsht.
Incidenti është pasur me deklarata të ashpra nga të dyja vendet, por sidomos nga Serbia. E tillë ishte ajo e kryeministrit serb. Së fundmi ekziston edhe ankthi sportiv, ku situata nuk duket se është në favorin tonë. Organizmat ndërkombëtare të futbollit paralajmërojnë ndëshkimin e të dyja palëve në mënyrë “shembullore dhe të barabartë”.
Pse ndodhi gjithë kjo ngjarje? Përse përfshiu kaq shumë elementë politikë dhe përse merret më 23 tetor vendimi, një ditë pas vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd? Këtyre dhe të tjera pyetjeve u mundua t’i japë përgjigje takimi i kësaj të enjteje në Top Story me Sokol Ballën ku të ftuar ishin përfaqësues të sportit, sportdashës, politikanë dhe analistë.
Njëri nga të ftuarit ishte portieri i kombëtares, Orges Shehi. Ai foli për incidentin dhe reagimet e para të lojtarëve. “Çdo gjë ishte spontane dhe askush nuk ishte i përgatitur për atë që ndodhi. Çdo shqiptar do të reagonte në atë mënyrë. Besoj se mënyra jonë e reagimit është e drejtë”, tha ai.
Psikologu Edmond Dragoti e vlerësoi ngjarjen si të rrallë dhe historike për Ballkanin, e cila shtoi ai, nuk u interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në studio ishte edhe ish-futbollisti kosovar i Partizanit të Beogradit, Fadil Vokrri. Ai tha se realiteti në tifozerinë serbe nuk është krejtësisht ai që u paraqit në sfidën me Shqipërinë. “Pavarësisht ngjarjeve që ndodhën, ka spektatorë korrektë në Serbi dhe një pjesë e madhe e tyre. Në cdo stadium është kudo, ekziston një pjesë huligane që bëjnë këto gjëra dhe duhet ta luftojmë të gjithë së bashku”, deklaroi ai.
Në panel Ministri i Punës i Republikës së Kosovës, nga minoriteti serb, Nenad Rasic tha se u shpërdorua një mundësi e mirë për të bërë një ndeshje historike për paqen. “Duhet të kuptojmë se sa e rëndësishme është që të kemi një pajtim të përbashkët. Të nisim pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve”, tha ai.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha se që pas hedhjes së shortit pala shqiptare nisi përpjekjet maksimale për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe për ta zhveshur atë nga politika dhe nacionalizmat. “Unë personalisht jam përpjekur ta largoj ndeshjen nga politika. Kërkuam të shkojmë me tifozë fillimisht, por u këshilluam edhe nga UEFA se Serbia nuk garantonte dot sigurinë”, tha Duka.
Braho – ardhja e policisë ishte e papritur. Ardhja dhe pyetja e ramës ishte shumë provokative. Ishin në kërkim të një alibie. Rama kishte veshur një bluzë të kuqe.
Emri i Olsi Ramës, vëllait të kryeministri Edi Rama qarkulloi fillimisht në mediat serbe dhe më pas edhe në ato ndërkombëtare, pak minuta pas incidentit si ideatori i “mjetit fluturues dhe banderolën kuqezi”. Por cila ishte e vërteta në shkallët e stadiumit të Beogradit? Vetë Olsi Rama, si pjesë e një grushti tifozësh shqiptarë që ndodheshin në stadium rrëfeu në Top Story.
“Nëse do ishte një grup ultrasish do t’i kuptoja, por ajo që më bëri përshtypje është se të gjithë ishin pjesëmarrës në histerinë kolektive të sharjes, fyerjes dhe agresivitetit në raport me lojtarët në fushë. Ngjarjet të lënë të dyshosh që pati një skenar. Kam përjetuar momente të vështira, kur u fërshëllye himni. Ishte një situatë e pabarabartë”, tha ai.
I pyetur nga Sokol Balla nëse Edi Rama duhet të vizitojë Serbinë pas kësaj ngjarjeje, Olsi tha: “Mendoj se ajo cka ndodhi në stadium ishte një stisje e mendjeve pasionante dhe gjaknxehta dhe mendjet e ftohta duhet të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Zgjedhja e tij do të jetë ajo më e mira”.
Ai sqaroi edhe pjesën kur u fol për arrestimin e tij. “Lajmi për arrestimin erdhi pas incidentit që ndodhi në lozhën tonë. Ne duartrokitëm ato 2-3 rastet e Shqipërisë dhe në këtë moment u kuptua nga tifozët serbë që kishte shqiptarë në stadium. Këtu e gjithë turma u kthye kundër nesh duke sharë e duke qëlluar me çakmakë, monedha dhe sende të tjera të forta. Më pas vjen policia që me pretekstin se nuk garantonte sigurinë e jetës sonë na kërkon që të lëvizim. Unë qendrova dhe bëra disa foto dhe e vetmja gjë, përvec celularit, që kam patur me vete ka qenë aparati, asnjë telekomandë”, tha ai.
Për Ministrin e Punës në Kosovë, Nenad Rasiç nga aspekti politik ndeshja tregoi ndasinë e thellë dhe kompleksitetin e marrrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve. Ai tha se ndeshja u ngarkua që në fillim politikisht dhe këtu kritikoi mediat si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri.
Sa i takon politikës, Rasiç tha se ajo duhet të dënojë ashpër incidentet, ndërsa shtoi se Kryeministri Rama nuk duhet të anulojë vizitën në Beograd, që e vlerësoi si mjaft të rëndësishme dhe si mënyrën më të mirë për të vendosur dialogun mes dy vendeve.
“Kjo që ka ndodhur nuk është as populli serb dhe as ai shqiptar. Këto janë rrethanat politike dhe mendoj që ndoshta është dikush që nuk dëshiron të pajtohen shqiptarët dhe serbët”, tha Rasiç.
Kreu i FSHF-së kritikoi qendrimet e klasës politike serbe e cila tha ai nuk u distancua as nga dhuna dhe as nga koret fyese dhe raciste antishqiptare që shoqëruan të gjithë minutat e ndeshjes së ndërprerë. “Në momentin kur politikanët nuk distancohen nga dhuna, atëherë kjo nuk i shërben pajtimit”, tha ai.
Kryeministri serb, Aleskandar Vucic foli me tone të ashpra të mërkurën dhe të enjten. Sa i shërbejnë këto deklarata pajtimit të dy popujve? Nenad Rasic tha se ka ende mundësi që të pajtohen shqiptarët dhe serbët dhe se kjo mundësi duhet kapur sa më parë nga të dyja palët, përndryshe thotë ai dëmtohet e ardhmja jo vetëm e serbëve apo e shqiptarëve, por e gjithë rajonit.
Presidenti i FSHF-së u ndal tek hetimi i UEFA-s. Ai shprehu bindjes se Shqipëria do të marrë atë që i takon; 3 pikët në tavolinë. “Të kërkosh që organet kompetente të dënojnë Shqipërinë, nëse do të ketë penalitet me Shqipërinë duhet të na thotë se cfarë kemi bërë? Nëse dalin na thonë se cfarë kemi bërë jam dakort të zbatoj penalitetin dhe të punoj për ta korrigjuar atë”, deklaroi ai.
Fadil Vokrri tha se ende nuk dihet se kush e ka bërë atë, nëse mund të quhet provokim dhe s’ka asnjë provë apo fakt që të implikojë në këtë “provokim” kombëtaren shqiptare. Ai tha se ndjehej i habitur me deklaratat e UEFA-s dhe KE-së, ndërsa përfundoi duke thënë se “në momentin kur lojtarët sulmohen nga tifozët, atëherë nuk bëhet më fjalë për futboll”.
Duke iu rikthyer incidentit, kreu i FSHF-së kritikoi edhe gjyqtarin e takimit. “Arbitri nuk ishtë korrekt. Futbollisti serb nuk ka pse e marri flamurin, as ai tjetri nuk kishte pse shkonte për t’ia marrë. Arbitri nuk ishte në gjendje të ruante kontrollin e ndeshjes. Duhej t’i kishte nxjerrë të verdhë lojtarit që kapi flamurin dhe lojtarëve të tjerë që shkuan për ta marrë flamurin më pas”, tha ai.
Një tjetër dëshmitar ishte edhe Hektor Pustina, fotoreporteri i agjencisë prestigjoze “AP”. Ai tha se rregullat e punës e pengonin të komentonte fotot e veta, por shtoi se në 48 orë qendrim në Beograd, kishte parë më shumë skafandra dhe presion të llahtarshëm të të gjitha formave.
Pjesa e tretë e emisonit u përqendrua tek vizita e Ramës në Beograd. Pyetja që shtrohet më së shumti pas këtyre ngjarjeve është: duhet apo nuk duhet të shkojë Kryeministri i Shqipërisë në Serbi më 22 tetor?
Edmond Dragoti: Vizita duhet bërë që të kontribuojmë në marrëdhëniet pozitive mes vendeve tona. Objektivi ynë i përbashkët është Europa ku nuk shkon dot me armiqësi dhe luftë.
Spartak Braho: Duhet parë njëherë se cila palë është e interesuar të prishë vizitën e Ramës. Pala shqiptare jo. Ka qenë një vizitë e imponuar, por e mirëpritur nga zoti Rama. E stimuluar nga ndërkombëtarët. Ka një pranim në Beograd, por dikush në Serbi ka qenë i interesuar ta prishë këtë vizitë. Mos harrojmë se përvec nacionalizmit në Serbi vepron edhe mafia që është më e fortë dhe gjen veten edhe në sport. Mafia politike serbe që është shumë e fortë dhe që ka ekzekutuar drejtues të politikës serbe. Ne nuk kemi asnjë arsye të mos kemi qasje me Serbinë. Vizita duhet bërë.
Orges Shehi: Duhet të marrë një vendim për t’i shërbyer sa më shumë cështjes tonë kombëtare. Unë nuk jam në gjendje që të përcaktoj nëse duhet të shkojë apo jo.
Armand Duka: Ky është një vendim politik që duhet ta marrin politikanët. Dialogu është mënyra më e mirë. Ata që mendojnë që a ka kurajo Rama t’i shohë në sy apo jo, duhet të shohin të vërtetën e vet në sy njëherë.
Një hapësirë iu kushtua edhe sulmit ndaj Ambasadës shqiptare në Podgoricë. Ministri i Punës në Kosovë, Nenad Rasic e cilësoi një akt të turpshëm, ndërsa për vizitën e Ramës tha se ishte bindur që ai duhet të shkojë. “Vizita nuk është vetëm për futbollin, vizita është shumëplanëshe”, tha ai.
Fadil Vokrri: Historia na ka mësuar që pas cdo beteje duhet të ulemi dhe të bëjmë paqe. Mendoj që duhet ta bëjë vizitën.
Top Channel