Koçijançiç tërhiqet nga deklarata e djeshme

16/10/2014 00:00

Për mëse gjysmë ore, ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi ishte çështja kryesore e debatit në “meshën e mesditës” së Komisionit Europian.

Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, e pati të vështirë të mbronte qëndrimin e njëanshëm të një dite më parë dhe insistoi se mesazhi kryesor i BE-së ishte për bashkëpunimin rajonal dhe se deklarata e djeshme nuk duhej keqinterpretuar.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë përsa i takon asaj që duam të shohim dhe në përmbajtjen e asaj që kam thënë ka një mesazh po kaq të qartë. Bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi nënvizohet dhe përbën një angazhim që është ndërmarrë, ndaj presim që ato të ndiqen. Në këtë kuptim, ne mirëpresim vizitën e planifikuar të kryeministrit Rama dhe ne besojmë se ky proces ka nevojë të vazhdojë, siç u theksua dhe në raportet e zgjerimit. Dje ne e bëmë mjaft të qartë se këto lloj ngjarjesh janë të papranueshme”, deklaroi Maja Koçijançiç.

Në konferencën për shtyp, TCH parashtroi pyetjet:

A e dënon Komisioni Europian faktin se për 40 minuta turma në stadium bërtiste “vdekje shqipëtarëve” dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës ndaj shqipëtarëve atje pas ndeshjes?

Së dyti, deklarata e djeshme, jo vetëm për mediat shqiptare, por dhe për mediat serbe u interpretua si mbështetje e BE-së për çfarë pretendonte Beogradi dhe ju flisni mbi vizitën e planifikuar të kryeministrit shqiptar, ndërkohë që kryeministri serb pret që Shqipëria të kërkojë falje?!

A pret dhe BE nga Shqipëria që të kërkojë falje për këtë, në një kohë që autoritetet serbe nuk e kanë gjetur ende fajtorin dhe nuk e dinë as nëse është shtetas shqiptar, maqedonas, serb apo amerikan ai që hodhi flamurin, meqënëse i takon vendit pritës përgjegjësia për këtë?

Përgjigje ndaj këtyre pyetjeve dha Dennis Abbott, zëdhënës i KE për Kulturën dhe Arsimin.

“UEFA po bën një hetim për çfarë ndodhi dhe PO, të gjithë i dëgjuan brohoritjet që bëheshin përgjatë lojës, të cilat ishin tërësisht të papranueshme. Kushdo pa ekranin atë natë, vërejti se kjo nuk ishte e lavdishme për askënd. I takon politikanëve ta zgjidhin se kush duhet të kërkojë falje ndaj kujt dhe kush e nisi i pari. Por, më e rëndësishme është se kjo nuk duhet të gjejë vend në futboll dhe as në çfarëdolloj sporti tjetër. Komisioni do të punojë ngushtë me UEFA-n, në një periudhë afatgjatë, për mënyrën se si duhen trajtuar të tilla situata, sepse sporti i futbollit qartësisht përballet me të tilla sfida në kuptim të dhunës e diskriminimit dhe kjo nuk arrihet me një mrekulli, por kërkon edukimin e njerëzve, edukimin e tifozëve të futbollit. Ky është një proces i gjatë që përfshin jo vetëm një politikan apo institucion të veçantë, por përfshin të gjitha palët që duhet të punojnë së bashku për edukimin me UEFA-n dhe FIFA-n në sport. Kjo nuk ka të bëjë me çfarë tha njëri apo tjetri dhe se kush duhet të kërkojë falje. UEFA po bën punën e vet dhe Komisioni e mbështet atë”, deklaroi Abbott.

Pas ndeshjes, situata përshkallëzoi me shkatërrimin e bizneseve në pronësi të pakicës shqiptare në Serbi dhe mediat pro-qeveritare vendase fajësojnë, me tituj ofendues, vëllain e kryeministrit Rama si shkaktar të incidentit.

Top Channel