Reagimi i FSHF-së

15/10/2014 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë publik qëndrimin e saj në lidhje me incidentet e ndodhura para dhe gjatë ndeshjes së ndërprerë në Beograd mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Sipas organit më të lartë të futbollit në vend, përveç incidenteve të ndodhura në fushën e lojës, problemet në kryeqytetin serb për stafin e Kombëtares sonë kanë nisur më herët.  

Komunikata e plotë e FSHF

FSHF, jep përpara opinionit publik, mediave dhe tifozërisë, qëndrimin e saj në lidhje me ndeshjen Serbi – Shqipëri, të ndërprerë pa u mbyllur pjesa e parë e ndeshjes.

Është goditur gjatë udhëtimit për në stadium, autobusi i kombëtares. Mjetit lëvizës, ju gjuajtën tre gurë, të hedhur nga tifozët serbë.

Para fillimit të nxemjes nga ana e ekipit tonë, një pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar e drejtuar nga presidenti Armand Duka është goditur me një copë betoni, e cila është marrë në dorëzim nga ana e delegatit të UEFA-s.

Në çdo dalje të ekipit shqiptar apo individëve të tij, në fushën e lojës gjithçka bëhej agresive dhe tejet acaruese nga ana e tifozërisë vendase.

Pas përfundimit të nxemjes, lojtarët janë goditur me një breshëri monedhash, çakmakësh dhe sendesh të tjera, përpara se të hynin në tunelin e hyrjes në stadium.

Për të gjithë periudhën që u zhvillua nxemja zyrtare përpara ndeshjes, koret fyese prej afro 30.000 zërash me fjalët “vritini shqiptarët” apo “vdekje shqiptarëve” ishin mbizotëruese.

Në rrethimin anësor të tribunës së majtë, mbi kangjella ishin me dhjetra tifozë, të cilët në sytë e policisë, vazhduan të qëndronin të paprekur deri në fund të minutave që u luajtën.

Përpara fillimit të ekzekutimit të himneve, banda frymore, ekzekutoi një marsh nacionalist, i cili nuk ishte i përfshirë në programin zyrtar dhe krijonte një emocion të jashtëzakonshëm nacionalist në stadium.

Himni kombëtar i Shqipërisë, është vërshëllyer masivisht, aq sa ishte i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe TV.

Në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarrë, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar nga pamjet filmike. Tre lojtarët që dolën në nxjemje, pas fillimit të ndeshjes u goditën me sende të forta aq, sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj.

Në fushë, kanë hyrë civilë dhe kanë goditur lojtarët shqiptarë me grushta dhe karrige. Për më shumë, lojtarët tanë janë goditur edhe nga personeli i sigurisë.

Gjatë tunelit, që të çon në dhomat e zhveshjes, futbollistët shqiptarë janë goditur vazhdimisht nga tifozë, forca e sigurisë në stadium dhe policë.

Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të prokurorit të Beogradit (sipas deklaratës së policisë) i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një për një, së bashku me sendet personale.

FSHF, është e mendimit se të gjitha veprimet e renditura më lart nuk i kanë shërbyer mbarëvajtjes dhe zhvillimit normal të ndeshjes, e cila nuk arriti të përfundonte.

Top Channel