Rama: Reformat nuk ndalen, opozita të përfshihet

15/10/2014 00:00

Në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës, kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish opozitën që të bëhet pjesë e reformave, ndërsa ka paralajmëruar se ato nuk do të ndalen edhe nëse pala tjetër refuzon përfshirjen.

“Reformat në Shqipëri nuk do të ndalen, por bashkimi me opozitën për reformat e mëdha është një element jetik dhe absolutisht europianizues për politikën shqiptare. Unë mendoj se opozita i ka të gjitha hapësirat e nevojshme për të luajtur pjesën e saj”, ka deklaruar Rama.

Shefi i qeverisë ka shprehur mirëkuptim ndaj kritikave që janë bërë në adresë të mazhorancës, por ka refuzuar të komentojë veprimet e opozitës.

“Unë i kuptoj kritikat ndaj nesh, edhe pse nuk jam plotësisht dakord me to, por nuk komentoj veprimet e opozitës. Jam i mandatuar për të drejtuar qeverinë, e cila flet me punë. Dhe kjo punë janë reformat dhe hapat përmes të cilave duhet tërhequr vendi”, ka thënë Rama.

I pyetur për çështjen e Bankës së Shqipërisë, ai ka shprehur besimin se, “bashkëpunimi me presidentin do t’i japë vendit guvernatorin e ri të BSH”.

“Për mua e rëndësishme është që guvernatori i ri të jetë në lartësinë e sfidës për ta nxjerrë institucionin nga kriza, për ta bërë më të pavarur, më të fortë dhe më largpamës”, ka thënë Rama.

“Ne jemi të hapur qoftë për kandidat të huaj, qoftë për shqiptarë nëse ata përmbushin standardet”, ka nënvizuar ai.

Më tej gjatë intervistës, i pyetur mbi përgjimet e SHISH, kreu i ekzekutivit është përgjigjur prerë duke thënë: “Nuk kam asnjë koment”.

Ndërsa sa i takon vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ai ka sqaruar se po e shfrytëzon për të diskutuar mbi reformat ekonomike dhe sociale për transformimin e Shqipërisë.

Top Channel