Festime në Maqedoni

15/10/2014 00:00

Mijëra shqiptarë në Maqedoni kanë festuar pas lojës që tregoi kombëtarja shqiptare kundër Serbisë.

Festime ka pasur në të gjitha qytetet e Maqedonisë të banuara me shqiptarë, nga Kumanova deri në Strugë.

Pas ndërprerjes së ndeshjes në Beograd, të entuziazmuar nga lojtarët e ekipit kombëtar që nuk lejuan përdhosjen e flamurit kuqezi në Beograd, mijëra të rinj shqiptarë me flamuj kombëtar kanë vërshuar rrugët, me shpresën se Shqipëria do dalë fituese nga kjo sfidë.

Në pamundësi për të qenë prezent në stadium, tifozët shqiptarë nga Shkupi, të njohur me emrin “Shvercerat”, kanë ndjekur ndeshjen në një ekran të madh të vendosur në sheshin “Skënderbeu”.

“Më vjen keq që u ndal loja, sepse besoj që kombëtarja jonë kishte shanse për të fituar. Patëm dëshirë që të shkojmë në Beograd, por meqë nuk na u lejua, u organizuam këtu për t’i dhënë mbështetje kombëtares. Kam një lutje ndaj kryetarit të FSHF-së, që herëve të tjera kur luan kombëtarja në Shqipëri të mos na lerë pa bileta”, është shprehur Premtim Saliu, anëtar i tifogrupit “Shvercerat” nga Shkupi.

Top Channel