Dyndje tifozësh në Rinas

15/10/2014 00:00

Lojtarët dhe stafi i Kombëtares sonë janë nisur nga aeroporti i Beogradit drejt Tiranës, ndërsa në aeroportin e Rinasit po priten nga një numër i madh i tifozëve kuqezi.

Me mijëra persona, pasi festuan në rrugët e kryeqytetit, pas ndërprerjes së ndeshjes në Beograd janë nisur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku do të presin heronjtë e tyre, të cilët do të udhëtojnë për rreth 45 minuta nga kryeqyteti i Serbisë për në atë të Shqipërisë.

Me simbolet kombëtare dhe nën ritmin e muzikës, të cilën e mundësojnë me anë të kasetofonëve të makinave të tyre, tifozët duken tejet entuziast.

Ndërsa edhe forcat e policisë kanë shtuar masat për të mundësuar rendin si edhe një qarkullim normal të automjeteve.

Pas mbërritjes së stafit të kombëtares pritet të ketë edhe një konferencë për shtyp nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili ndodhet në aeroport.

Top Channel