Mediat serbe “arrestojnë” Olsi Ramën

14/10/2014 00:00

Mediat serbe kanë raportuar se, pas incidenteve në stadiumin e Beogradit, është arrestuar në tribunën VIP Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Gazeta serbe “Blic” raportoi se Olsi Rama është arrestuar, pasi – sipas tyre – atij i është gjetur një telekomandë, me të cilën drejtonte helikopterin që fluturoi mbi stadium. Por, ky lajm nuk u konfirmua asnjëherë nga Policia Serbe.

Mësohet se Olsi Ramës i janë afruar fillimisht efektivët e Policisë, të cilët i kanë kontrolluar aparatin fotografik, e më pas ai është shoqëruar, siç shihet dhe nga fotot, së bashku me pjesën tjetër të të pranishmëve në stadiumin e Beogradit për në aeroport, nga ku është nisur në drejtim të Tiranës.

Ndërkohë, pas përfundimit të gjithë kësaj situate, në një prononcim për SuperSport, Olsi Rama sqaron se ishte vetëm një montaturë, me qëllim krijimin e një situate të pakëndshme.

“Kam vlerësuar djemtë e kombëtares, sepse kanë kryer sot një akt që vlerësohet nga të gjithë”, tha Rama. Vëllai i Kryeministrit shprehu besimin se shefi i Qeverisë shqiptare është krenar për mënyrën e lojës dhe qëndrimin e futbollistëve në fushën e blertë.

Top Channel