Kallëzim penal ndaj Bodes dhe Shehut

14/10/2014 00:00

Ministria e financave ka kallëzuar për ndjekje penale ish-ministrin demokrat Ridvan Bode dhe ish-zëvendësin e tij Sherefedin Shehu për abuzim me tenderat.

Lajmi i bërë publik në rrugë jozyrtare nga prokuroria është konfirmuar më pas nga Ministria e Financave. Burime i thanë Top Channel se Bode dhe Shehu akuzohen për shpërdorim detyre me pasojë një dëm prej 60 milionë euro për buxhetin dhe taksapaguesit.

Në thelb të kallëzimit, sipas tyre,  qëndron kredia sindikale 250 milionë euro, që ish-qeveria e djathtë mori në vitin 2009 nga dy banka të huaja, grekja “Alfa” dhe gjemanja “Deutsche Bank” për të financuar defiçitin buxhetor dhe ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Në atë kohë termat e kredisë ishin euribor plus 9.6 për qind. Për shkak se euribori është një instrument i ndryshueshëm, më vonë interesi total i kredisë do të arrinte deri në 13.5 për qind. Jozyrtarisht burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se pranë qeverisë në atë kohë kanë mbërritur oferta më të lira se sa ato dy të përzgjedhura nga ish-qeveria e djathtë çka duket se përbën dhe bazën kryesore të kallëzimit ndaj Bodes dhe Shehut.

Por ish-ministri demokrat i financave i kontaktuar nga Top Channel i cilësoi akuzat si një sulm politik, të paralajmëruar që më parë nga pasardhësi i tij kundërshtar Shkëlqim Cani. Bode tha se kredia është marrë përmes një procesi transparent dhe termat e saj janë miratuar me ligj në Kuvend, në një kohë kur kriza, sipas tij, e kishte bërë aksesin në tregjet financiare të pamundur për shumë vende.

Kredia nga “Alfa” dhe “Deutsche” u mor në maj të vitit 2009 dhe u shlye një vit e gjysmë më vonë, në dhjetor të 2010, sapo qeveria arriti të siguronte 300 milionë euro borxh përmes emetimit të eurobondit.

Top Channel