Itali-Shqipëri do të luhet në Xhenova

14/10/2014 00:00

Federata italiane e Futbollit ka vendosur që ndeshja miqësore Itali-Shqipëri, në program më 18 Nëntor, të zhvillohet në qytetin e Xhenovës dhe jo në Parma, siç ishte planifikuar fillimisht.

Ky vendim është marrë për të ndihmuar popullatën e qyteti të goditur rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit. Në fakt, të gjitha fitimet nga shitja e biletave do të shkojnë në favor të banorëve të Xhenovës.

Por, ndërsa Federata ka dashur të japë një dëshmi të fortë solidariteti, protesta e kritika mbërrijnë nga vetë tifozët dhe banorët e qytetit. Në shtypin lokal dhe rrjetet sociale vihet në dukje se, nëse ndeshja do të luhet në Xhenova, biletat do të blihen kryesisht nga vendasit, të cilët në këtë mënyrë do e paguanin vetë aktin e solidaritetit dhe nuk do të kishin asnjë ndihmë, siç do të ndodhte nëse ndeshja zhvillohej në Milano apo Torino.

“Po i kërkoni xhenovezëve të ndihmojnë vetveten, bëjeni gjetiu miqësoren”. Kjo është kërkesa e banorëve, të cilët vënë në dukje gjithashtu se stadiumi “Ferraris” është i përmbytur.

Me sa duket, këtë herë, dëshira e Federatës për të dhënë një ndihmë konkrete mund të transformohet në një autogol të vërtetë.

Njoftimin e bëri një ditë më parë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Carlo Tavecchio. “Duam të ndihmojmë Xhenovën, për këtë arsye miqësorja Itali-Shqipëri do të luhet në këtë qytet”, tha Tavecchio për Ansën.

Xhenova është goditur rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit dhe futbolli italian, sipas presidentit të FIGC-së, duhet të jetë i ndjeshëm ndaj dramave të tilla që plagosin të gjithë kombin.

Miqësorja Itali-Shqipëri ishte parashikuar të luhej në stadiumin “Tardini” të Parmës, por tashmë ka ndërruar destinacion dhe kuqezinjtë do të përballen me “axurrët në “Luigi Ferraris”.

Top Channel