Pronarët dhe administratorët e lokaleve në ambientet e ish-kinema” 17 nëntori” kanë penguar inspektorët që monitorojnë zbatimin e ligjit antiduhan të ushtrojnë aktivitetin e tyre me pretendimin se ambienti ku ata e lejojnë duhanin është i hapur pasi është rrugë kalimi.

“Erdhi sot për të vendosur gjobat. Gjoba nuk funksionon sot. Është ambient i hapur”, thonë administratorët e pallateve.

Por kryeinspektori Tiranës, Gjergji Koja deklaron se ky ambient nuk konsiderohet i hapur dhe do të ndëshkohet me gjobë kush do të shkelë ligjin.

“Lidhur me përkufizimet që jep ligji, neni 3, pika 18 përcakton shumë qartë se cilat janë ambiente të hapura dhe cilat janë ambiente të mbyllura. Këtu ku jemi, ku dje u penguan inspektorët të kryejnë detyrën e tyre, është absolutisht një ambient i mbyllur, jo se e thotë inspektoriati por sepse e përcakton ligji shumë qartë sa i përket hapësirave, rrugëve të përbashkëta dhe ambienteve të tjera. Këtu nuk ka asnjë ambient të hapur, janë të gjitha ambiente të mbyllura”, tha kryeinspektori i Tiranës, Gjergji Koja.

Pas incidentit të ndodhur një ditë më parë me inspektorët, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka qenë në këto ambiente ku ka bashkëbiseduar me pronarët dhe administratorët duke u shpjeguar se ambienti konsiderohet i mbyllur.

“Dua të ftoj cdo qytetar, cdo sipërmarrës që të vazhdojë të denoncojë si këto 7 javë në numrin pa pagesë 0800 40 40 dhe në aplikimin online, Shqipëria jo duhanit. I kërkoj inspektorëve që të mos sprapsen para pengesave që u dalin dhe u bëj thirrje dikujt që mund të mendojë të pengojë inspektorët në zbatimin e ligjit se do të ndeshet me ndëshkimin rigoroz të ligjit”, tha Ministri Beqaj.

Ligji antiduhan ka nisur të zbatohet që prej 23 gushtit dhe në 7 javë janë vendosur gjithsej 49 gjoba në mes tyre subjekte private dhe publike.

Top Channel