Fyle: Politika të shikojë përpara

13/10/2014 00:00

Në një intervistë të fundit përpara largimit nga detyra, Komisionieri
për Zgjerimin Shtefan Fyle rrëfen për Top Channel historinë e
marrëdhënies se tij me Shqipërinë, me politikanët shqiptarë në Qeveri
dhe opozitë.

Shtefan Fyle thotë se darka e famshme e `Krokodilit`, nëse do të kishte arritur në një marrëveshje mund të kishte ndryshuar Shqipërinë.

Fyle komenton me keqardhje edhe marrëdhënien e trazuar me opozitën dhe kryetarin Basha, ndërsa këshillon që politikanët shqiptarë të bëjnë reforma gjithëpërfshirëse dhe të zhvillojnë dialogun mes tyre e jo luftën politike.

Top Channel: “Nga plotësimi i kërkesave në letër drejt transformimit politik, ku gjurmët e provave marrin rëndësi!” A ishte i suksesshëm për ju ky mandat? Siç e dimë, Kroacia u bë anëtare, Mali i Zi dhe Serbia nisën negociatat dhe Shqipëria mori statusin kandidat qershorin e kaluar. A ishte ky synimi juaj 5 vjet më parë kur morët dosjet, sidomos mbi Shqipërinë?

Shtefan Fyle:  Erdha me një vizion këtu. Me vizionin për ta kthyer zgjerimin në instrumentin kyç të politikës së jashtme të Bashkimit Europian. Erdha me vizionin që ta bëja zgjerimin mjaft të besueshëm, në mënyrë që i gjithë fokusi tek zgjerimi, të ruante dimensionin politik të tij. Isha tejet i prirur për të krijuar kushtet, pa plotësimin e të cilave, ne nuk qasnim anëtarë të rinj, ndërkohë që ndërtonim mekanizmin e verifikimit të bashkëpunimit, për të vëzhguar nivelin e zbatimit për punën e pakryer gjatë negociatave të anëtarësimit. E më pas, së bashku me kolegët e mi, jemi munduar që të ndertojmë mbi këtë vizion. Jemi munduar që të japim instrumenta se si të realizohet kjo besueshmëri, dhe ky është dhe sekreti pas atyre 3 shtyllave kryesore të zgjerimit.

Top Channel: Në mënyrë të përmbledhur, mandati juaj u shenjua nga darka e ‘Krokodilit’, thënë ndryshe dështimi ndaj bojkotit të opozitës, shpërthimi në Gërdec me 26 viktima, sakrifikimi i ish të burgosurve politikë të regjimit komunist dhe 21 janari, ku u vranë 4 demonstrues nga autoritetet shtetërore, pa përmendur zgjedhjet, që për ju rezultonin dy fitues pa përcaktuar palën qeverisëse. Megjithëse 21 janari mbetet ngjarja më e rëndë për një shoqëri demokratike, qëndrimi i BE-së ishte i paqartë. A mendoni se ju mund të kishit ndikuar për një ecuri më të mirë të këtyre ngjarjeve, nëse Rama dhe Berisha do t’i ishin përgjigjur pozitivisht letër-kërkesës suaj për t’u ftuar në 2011?

Shtefan Fyle: Ka qënë gjithnjë ky potencial në Shqipëri, mes qytetarëve shqiptarë dhe mendoj, edhe mes politikanëve shqiptarë. Pajtohem me ju se nëse kjo darka e ‘Krokodilit’ do të rezultonte me të vërtetë pozitive në atë kohë, ne do të kishim parë një progres edhe më të mirë sot. Ndonjëherë, përpiqesh të bësh më të mirën e mundshme. Mundohesh të krijosh kushtet për të tjerët që të merren vesh, por në disa raste, kjo nuk varen nga ty. Unë po mundohem të shoh përpara, më shumë sesa të shpenzoj kohën për të vështruar nga e kaluara për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, përgjigje që edhe po ta dija, sidoqoftë, nuk do të ndryshonte shumë gjëra. Në fakt, raporti aktual i progresit mbi Shqipërinë, nuk flet vetëm për 12 muajt e fundit, por dhe për të ardhmen e Shqipërisë në 12 muajt në vijim, e madje dhe për 5 vitet e ardhshme kur të vijohet nga Johannes Hahn.
Top Channel: Si e interpretoni letrën e misionit të Presidentit Junker ndaj komisionerit Hahn për vazhdimin e negociatave? Si e shihni rolin e parlamenteve nacionale dhe çfarë duhet të presë Shqipëria nga kandidati i Austrisë për komisioner?

Shtefan Fyle: Jo, deklarata për misionin është absolutisht në rregull për pasuesin tim. Unë shoh vazhdim të qartë të punës së deritanishme të Komisionit, me plot dijeni për gjithësecilin tashmë, shpresoj, se politika e zgjerimit është një proces politik që drejtohet nga vendet anëtare dhe jo detyrimisht nga Komisioni. Kjo siguron ekzaktësisht atë që mundohet të tregojë dhe kolegu im se procesi është i besueshëm dhe ofron përgatitjen e plotë të vendeve të reja për anëtarësim. Johannes Hahn ishte anëtar i Komisionit aktual. Ai e ka parë punën e kryer në këtë fushë. Jemi ulur disa herë bashkë dhe është kalim i butë i këtij portofoli, pasi të dy kemi qenë të angazhuar për këtë. Vazhdimësia garantohet edhe nga përvoja e pasur dhe e fuqishme e Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit.

Top Channel
: Veçanërisht pas këtij raporti, ju çmoheni më shumë nga Qeveria se sa nga opozita. Si do ta përshkruanit kryeministrin Rama? A po ndjek ai qasjen e duhur ndaj opozitës?

Shtefan Fyle: Nuk më takon mua të gjykoj, nëse ky apo ai kryeministër trajton siç duhet këtë, apo atë opozitë. Absolutisht, jo. Por, ju e dini se jam munduar që t’u them politikanëve shqipëtarë se sapo të vini në qeveri si pasojë e zgjedhjeve, ju lutem, përpiquni të silleni me opozitën, ashtu sikundër do të donit që kundërshtari juaj politik të sillej me ju, nëse radhës tjetër do të ishit në opozitë. Mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Ju më pyesni tani për mardhënien jo të lehtë mes shumicës dhe pakicës, sepse ne po flasim për një rajon të Europës, ku ekziston ndjesia se sapo të fitosh zgjedhjet, merr gjithçka dhe çdo gjë bëhet e jotja. E në fakt nuk ndodh kështu. Demokracia ka rregullat e saj. Një nga këto rregulla është se për të patur demokraci të fortë, nevojitet një opozitë e fortë demokratike. Për opozitën që të jetë e fortë dhe konstruktive, ju duhet të krijoni kushtet. Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë vërejta pak hapje. Kam dëgjuar se ka të paktën disa kërkesa të formuluara qartë, të cilat do t’i mundësonin opozitës që të kthehej sërish. Ato lidhen mjaftueshëm me çfarë kemi trajtuar dhe është shumë i rëndësishëm funksioni i kontrollit të opozitës në Parlament, ndaj dhe shpresoj shumë se ky përbën me të vërtetë një hap pozitiv. Kjo faktikisht është e dyanshme. Kryeministri sinjalizoi mjaft qartë se ai është i gatshëm për të luajtur rolin e tij për të siguruar që opozita t’i bashkohet parlamentit.

Top Channel: A mendoni se qeveria Rama mund t’i përmbushë reformat për nisjen e negociatave?

Shtefan Fyle: Unë besoj se ata politikanë u zgjodhën nga qytetarët shqipëtarë për të formuar qeverinë që do të jetë në gjendje për të kryer ato reforma. Absolutisht! Meqë ra fjala, ju e nisët me një numër elementësh negativë. Por, unë do të shtoja se zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kalimi i butë i pushtetit, rivendosja e konsensusit ndërmjet partive kryesore politike në dobi të agjendës europiane dhe hapat konkrete në reformat e mbështetura nga kjo qeveri, por të nisura dhe nga qeveria e mëparshme kur ishte në pushtet, dhanë rezultate për statusin kandidat.

Top Channel: Kreu i opozitës, Basha, ka deklaruar se PD i sheh vlerat europiane tek komisioneri i ri Hahn, duke refuzuar madje dhe që t’u përgjigjet dy letrave tuaja të deritanishme për ftesë. Keni ndonjë koment për këtë?

Shtefan Fyle:
Kam një koment, në fakt. Për mua ishte shumë e rëndësishme, në kuptimin e përgjithshëm të politikës së jashtme të BE-së dhe, sidomos për zgjerimin, që të luaja një rol bipartizan, apo që të garantoja se kjo politikë është bipartizane. Nuk është sekret se jam i asociuar ndaj grupit socialdemokrat në Parlamentin Europian. Nuk jam Socialist. Por, çfarëdo kam bërë në 5 vitet e fundit, gjatë ushtrimit të detyrës sime, kjo lloj përkatësie ishte me të vërtetë gjëja e fundit për nga rëndësia. Përkundrazi, isha unë ai që mblodhi, pikërisht, në restorantin ‘Krokodil’ përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha kryesore politike dhe, për dijeni, jam unë ai që u kam thënë të dy palëve, PPEsë dhe socialdemokratëve, se ju keni përgjegjësi të veçantë për të punuar sëbashku. Keni një përgjegjësi të veçantë që, në vend që të bëni lojën partiake politike me Shqipërinë dhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, t’i sillni bashkë ata për të mbështetur agjendën europiane, sepse kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të krijuar nxitjen e duhur dhe shembullin e mirë për vetë ato parti politike. Unë nuk kam humbur kurrë rastin për të folur me opozitën. Nuk kam humbur kurrë mundësinë për të dëgjuar ankesat, vërejtjet dhe propozimet e tyre. Kam kujtime të mira për shumë prej tyre që ndërvepronin me mua, ndonjëherë i përkisnin këtij grupi politik e ndonjëherë tjetrit. Është vetëm për të ardhur keq që në disa raste, pavarësisht përpjekjeve të mia, komunikimi dhe dialogu nuk kanë qenë mjaft veprues.

Top Channel: Çfarë mundësish shihni tek qeveria për të afruar opozitën, ndërkohë që taktika e bojkotit vazhdon ende në politikën shqiptare?

Shtefan Fyle:
Ky është një element i ri në këtë raport progresi, sepse kemi qartësuar disa pika. Së pari, puna jashtë parlamentit është një mesazh i madh dhe i rëndësishëm politik, por, si i tillë, vështirë se kontribuon për njê zgjidhje të qëndrueshme për çështjet që ngre pakica. Një tjetër pikë, që ne mundohemi të theksojmë, është fakti se është në interes të qeverisë që opozita të luajë rolin e saj, të kryejë kontrollin e saj brenda parlamentit dhe të mos i nxjerrë çështjet e saj në rrugë. Por, nuk është vetëm në interesin e Qeverisë, e cila duhet të krijojë kushtet për këtë, dhe kjo është një nga pyetjet që shtrova gjatë takimit të fundit të Dialogut të Nivelit të Lartë. Kemi dëgjuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni kërkesën e opozitës për të ngritur komision hetimor parlamentar. Pse ka kaq shumë vonesa? Përse të mos i ofrohet opozitës mundësia që të ushtrojë funksionin e saj të kontrollit në demokraci? Por, ka gjithashtu përgjegjësi për opozitën. Një nga përgjegjësitë e opozitës është se brenda këtij kuadri dhe këtyre kushteve, duhet të ushtrojë me konstruktivitet rolin e saj duke bërë të qarta çështjet e saj në parlament për ta forcuar këtë institucion që është ndër më të rëndësishmit në vend, më shumë se sa t’i nxjerrë këto raste në rrugë . Së fundi, ishte interesante të shihje se në mungesë të opozitës në parlament, ne patëm një debat shumë të mirë në Dialogun e Nivelit të Lartë. Meritat për këtë i shkojnë kryeministrit Rama dhe ish- ministres së Integrimit, Bregu, tashmë kryetare e Komisionit të Integrimit, sepse të dy palët, qeveria dhe opozita, përdorën këtë platformë për të ndërvepruar mbi agjendën europiane. Nuk do të thotë se kemi patur gjithnjë biseda të qeta. Nuk kemi patur gjithmonë marrveshje, përkundrazi, plot diskutime, ndonjëherë shumë të hapura e mjaft të sinqerta. Por, kjo është shumë e rëndësishme sepse ne po kërkojmë për platformën e duhur të gjithëpërfshirjes për reformat. Qeveria ka plotësisht të drejtë kur thotë se u zgjodhëm mbi bazën e programit tonë, dhe programi ynë bazohet në seriozitetin e hapave që ndërmerren për reformat dhe ne tani duam ta zbatojmë atë. Kjo është mënyra se si duket. Por që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe të marrin në konsideratë pikëpamjet e sa më shumë qytetarëve që të jetë e mundur, ju nevojitet procesi gjithëpërfshirës. Ju nevojitet ta dëgjoni opozitën. Ju nevojitet të angazhoni shoqërinë civile. Ju nevojitet të reflektoni mbi sugjerimet e tyre e kështu me radhë. Kjo nuk ju cënon të drejtën dhe përgjegjësinë për të drejtuar vendin. Por, në fund, ju ofron një varg politikash, që nuk do të vihen në dyshim gjatë periudhës së ardhshme zgjedhore, dhe si të tilla, do ta çojnë në mënyrë të njëtrajtshme Shqipërinë më afër Bashkimit Europian, në vend që të krijojnë këto zhvillime luhatëse (me ulje-ngritje). Pashë pak përpjekje, siç e përmenda, gjatë takimit të fundit të Dialogut të Nivelit të Lartë. Shpresoj se qeveria dhe opozita do të jenë të gatshme për të ofruar më shumê ndaj kësaj hapjeje.

Top Channel: Në takimet e mbyllura, Parlamenti Europian, përfshirë PPE-në, flet për kulturë të papjekur politike në Shqipëri. Po shtroj pyetjen e eurodeputetit kroat Picula ndaj Vlahutin, shefes së re të delegacionit të BE-së në Tiranë. A besoni se një vend, ku më së shumti Qeveria dhe opozita nuk komunikojnë, mund të promovojë dialog rajonal?

Shtefan Fyle: Nuk mendoj se kjo është çështja më e rëndësishme, nëse Shqipëria mund të promovojë, ose jo, dialog në rajon, në qoftë se asaj i mungon dialogu brenda vendit. Mendoj se kjo ka të bëjë me besueshmërinë. Ju jeni përfundimisht më të besueshëm në promovimin e dialogut rajonal, nëse do të ishit në gjëndje të ofronit dialogun brenda vendit tuaj. Më duhet të them se jam në dijeni dhe e çmoj rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon nga kjo qeveri dhe ajo e mëparshme. Unë e vlerësoj këtë rol në të njëjtën mënyrë, çka nënkupton anën pozitive. Kjo do të forconte më tej kapacitetet e Shqipërisë. Mendoj se ka nevojë për një rol edhe më të fortë në rajon, nëse ka hapësira dhe gjithashtu, në qoftë se ky shembull i mirë, i njëjti dialog që promovon Shqipëria në rajon, përben në fakt dhe rregullin që ndiqet nga vetë Shqipëria.

Top Channel: Si e shihni përfshirjen e Gjermanisë me vendet e Ballkanit? Çfarë prisni nga procesi i Berlinit? A do të sjellë fonde shtesë për projekte të përbashkëta në infrastrukturë e energji, apo vendet e rajonit duhet të mbështeten vetëm tek IPAII?

Shtefan Fyle:Procesi i Berlinit ishte mjaft i suksesshëm sepse nisi diçka të re. Me këtë dua të them se përfshin elementët në vijim së bashku. Së pari përmbajtja, që ofrohet nga Komisioni Europian, si një koncept i ri mbi qeverisjen ekonomike dhe qasjen e kohëve të fundit për lidhjen e re të rajonit. Së dyti bashkëpunimi rajonal, dhe këtu flas për bashkëpunimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, një bashkëpunim i përforcuar brenda procesit të stabilizim asocimit, çfarë bëhet në kuadrin informal të këtyre 6 vendeve që aspirojnë t’i bashkohen Unionit, për të punuar sëbashku mbi agjendën që lidhet me procesin e anëtarësimit. Elementi i tretë është mbështetja e qartë e Gjermanisë, dhe e disa vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë takim, në nivelin më të lartë. Kështu që, procesi i Berlinit qëndronte në vendosjen bashkë të këtyre 3 elementëve, dhe rëndësia e kësaj është se, jo vetëm krijon mundësi të reja, mbi të cilat politikanët mund të flasin sëbashku, por, shënon nisjen e një procesi ku ne mund të përdorim instrumentat që kemi ngritur, burimet që kemi përgatitur, për të kaluar nga diskutimet analizuese dhe politike drejt fazës së zbatimit mbi faktin se cili korridor duhet të lidhë kryeqytetet e rajonit dhe se cili korridor do të lidhë rajonin me Bashkimin Europian. Në 23 Tetor do të kemi njê konferencë shumê të rëndësishme në Beograd, ku 6 vendet e rajonit, Komisioni Europian dhe institucionet financiare ndërkombëtare, do të kenë mundësi për herë të parë që të ulen e të flasin konkretisht se si mund të punojnë sëbashku mbi qeverisjen ekonomike, në mënyrë që kjo të jetë në përfitim të të gjithë rajonit. Cilat duhet të jenë hapat konkret, jo diku në të ardhmen e largët, por në kohë reale, me afate të qarta, me një udhërrëfyes realist për caktimin e përparësive për transportin, energjinë dhe ndërlidhshmërinë brenda rajonit, e më pas, mes tij dhe Bashkimin Europian. Ky është një zotim të madh e ka burime më të mira e më të mëdha për kêtë. Ky përbën njê prej elementëve të rinj në qasjen tonë në fushën e zgjerimit me perspektivën e tanishme 2014-2020, ku ne do të mbështesim më shumê sektorë të veçantë dhe nuk do të strukemi përballë projekteve të mëdha që nuk shkojnë në përfitim të një vendi të vetëm, por të gjithë rajonit.

Top Channel: Gjatë viteve 2007-2013, BE shpenzoi më shumë se gjysëm miliard euro për të ndihmuar Shqipërinë për reformat në tërësi. A mendoni se janë shpenzuar siç duhet këto para, sidomos kur vërejmë gjetjet e raportit përsa i takon reformës së administratës publike dhe gjyqësorit?

Shtefan Fyle: Çdo qindarkë që ka për qëllim të sjellë vendin pranë standardeve të Bashkimit Europian, mund të jetë një shpenzim i mirë. Siç e dini, ne kemi sistemin tonë strikt për të garantuar se paratë e BE-së me të vërtetë shpenzohen në mënyrën më efikase dhe se pasohen nga rezultate konkrete. Ju e dini, se në disa raste konkrete kemi hasur probleme në pagesën e parave, ose pezulluam mbështetjen për disa projekte të caktuara, ose programe, që nuk zbatoheshin. Sikur Shqipëria, apo cilido vend, t’i përdorte më mirë këto burime që ne ofrojmë, sepse ju i kërkoni dhe mund t’i merrni, sikundër dhe vendet e tjera e kanë këtë mundësi. Ne kontribuojmë në këtë proces duke ardhur në ndihmë me IPA II, dhe kësaj radhe instrumenti është më fleksibël dhe mbështetet në forcimin e kapaciteteve të vendeve kandidate për t’i drejtuar vetë këto programe. Është me rëndësi për Shqipërinë, apo vende të tjera, që në një të ardhme jo të largët të vetpërgatiten, për të qenë e përgjegjshme për gjithë ato para që BE investon në vendin tuaj për infrastrukturën, ekonominë, dhe përafrimin tuaj ekonomik në Union.
Tani, çështja e gjyqsorit është shumë e rëndësishme. Kjo është një fushë ku Qeveria ka një ide të qartë për mënyrën se si do të procedojë me reformën. Kjo përbën gjithashtu një fushë ku ne kemi vetëm njê rekomandim të qartë, e cila është :’Ju lutem sigurohuni se, së pari, ju bazoheni në ekspertizën e Komisionit të Venecias së Kêshillit të Europës dhe këshilloni ekspertët e Komisionit Europian dhe, së dyti, edhe më e rëndësishme është që të garantoni se është gjithëpërfshirës’. Sigurohuni se opozita është pjesë e saj dhe konsultoni shoqërinë civile. Atje janë marrë disa hapa pa përfshirjen e Komisionit të Venecias, pa konsultuar opozitën dhe mendoj se është e rëndësishme që në një fazë të dytë ,Qeveria ta bëjë këtë sa mê gjithëpërfshirës që të jetë e mundur.
Më 6 tetor, konferenca shumë e rëndësishme që u organizua nga Presidenti dhe ministri i Drejtësisë, mendoj se ishte një shembull i mirë se aktualisht është i mundshëm një bashkëpunim dhe kjo mund të jetë ekstremisht e dobishme. Këtu ka dhe një pikë tjetër të rëndësishme. Rezultati më i rëndësishëm në tryezën e fundit të dialogut të nivelit të lartë ishte se ne ramë dakort se në grupin e punës mbi reformën e gjyqësorit, edhe opozita do të marrë pjesë, jo për të zëvendësuar punën që duhet bërë në parlament, por si një platformë e shtuar për ndërveprimin mes qeverisë, opozitës, palëve të tjera te interesuara dhe Komisionit të Venecias e Komisionit Europian.

Top Channel:
Atmosfera e asaj konference të organizuar në Tiranë për gjyqësorin dukej e polarizuar. Si mendoni se kjo do të ndikojë për çeljen e negociatave, dhe a besoni se ky proces mund të nisë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 2017?

Shtefan Fyle: Përsa i takon perspektivës në të ardhmen, kjo nuk varet shumê nga komisioni. Kjo më së shumti, është në duart e politikanëve shqiptarë dhe të palëve të tjera të përfshira. Ne jemi këtu për të krijuar mundësitë. Dialogu i nivelit të lartë shërben për të qartësuar se çfarë mbetet për t’u bërë, duke ju ndihmuar që të punoni mbi 5 prioritetet kyçe, duke afruar aktorë të tjerë si Komisioni i Venecias dhe duke u siguruar se e gjitha kjo përbën një proces gjithëpërfshirës. Ne ju ndihmojmë me gjithë mundësitë tona, pa folur për paratë e çështje të tjera. Pyesni politikanët tuaj. Pyesni ata që janë në qeveri. Pyesni ata që janë në opozitë. Kur do të japin rezultate ata mbi ato 5 përparësitë kyçe ? Kur duan ata që të nisin bisedimet për anëtarësim? Kur e shohin ata Shqipërinë si pjesë të Bashkimit Europian?

Top Channel:
Që nga koha që ju morët detyrën, vendi vijon të mos përmbushë detyrimin e MSAsë për të drejtën e autorit, nuk ka zgjidhur çështjen e pronave, mbeten ndërhyrjet politike mbi median dhe kërkesa për hetime proaktive me dënime për korrupsionin në nivel të lartë. Sa larg është Shqipëria nga praktika europiane?

Shtefan Fyle: Nuk është fjala për standarde europiane. Janë 5 përparësi kyçe ku aktualisht përfshihen çështjet që ju numëroni. Askush nuk pret që Shqipëria të përputhet plotësisht me praktikën e Bashkimit Europian, përpara se të bëhet anëtar, apo dhe përpara se të nisë negociatat e anëtarësimit. Ajo që ne duam të shohim është përparim i vazhdueshëm. Ne duam të shohim progres mbi çfarë kemi rënë dakord në përkufizimin e atyre 5 prioriteteve kyçe, në mënyrë që Komisioni të jetë në gjëndje t’i rekomandojë vendeve anëtare hapjen e negociatave. Pastaj do të kemi kohën e zgzaminimit në ato fusha dhe kjo do të zgjasë për më shumë se një vit. Më pas, do të vijë koha e negociatave të anëtarësimit, përsa i takon varësisë për të hapur kapitujt, që do të zgjasë pêr disa vite dhe, përgjatë kësaj kohe, ne do të presim që Shqipêria të dorëzojë plotësisht në ato fusha. Kështu që, të shohësh se në krye të rrugës ka një qëllim është e rëndësishme. Ju nuk duhet të humbisni qëllimin nga përpjekjet tuaja përgjatë kësaj rruge. Por, në të njëjtën kohë është e rëndësishme të fokusoheni për ndalesat më kryesore dhe që për momentin është dhënia mbi ato 5 prioritete kyçe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Pavarësisht ndihmës së Komisionit Europian apo të të tjerëve, kjo varet nga ju. Nuk ka kalendar artificial në këtë zyrë dhe nuk ka për të pasur ndonjë kalendar artificial në zyrën e Johannes Hahn. Ju premtoj se kalendari i vetëm që Shqipëria mund të ofrojë është në duart e politikanëve shqipëtarë dhe palëve të tjera të përfshira.

Intervistoi ARTA TOZAJ

Top Channel