Me dhjetëra minatorë gjejnë vdekjen çdo vit në galeritë e kromit për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në miniera. Ministria e Energjisë thotë se për të shmangur aksidentet me pasoja tragjike për jetën e punonjësve të minierave, ligji i ri parashikon disa ndryshime që forcojnë kontrollin e shtetit mbi veprimtaritë minerare.

Koli Bele, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, deklaron: “Një subjekt i caktuar merrte një leje minerare dhe ia linte me një kontratë nënkontraktimi një subjekti tjetër jashtë kontrollit të organeve përgjegjëse. Sot, kemi vendosur një standart që nënkontraktorët të miratohen nga Ministria.”

Zoti Bele thotë se një rregullim i fortë ligjor në këtë aspekt është edhe saktësimi i konceptit të servitutit të detyrueshëm apo lejes së kalimit, që ka qenë shpesh shkak për aksidente të rënda në galeritë minerare.

“Në kushtet kur nuk gjehet marrëveshja midis drejtuesit të një leje të caktuar dhe lejembajtësit që kërkon servitutin, zgjidhet me një vendim të thjeshtë gjykate. Mirëpo, probleme në miniera të caktuara si ajo e Bulqizës kërkojnë që organe të specializuara të shprehen paraprakisht. Gjithashtu, ligji përcakton mosdhënie leje-kalimi në zonat e rrezikshme”, shpjegon Koli Bele.

Ligji i ri detyron praninë e drejtuesit teknik në mbikqyrjen e punimeve gjatë gjithë ekzistencës së minierës. Ministria e Energjisë thotë se vetëm gjatë këtij viti ka revokuar mbi 170 leje minerare për arsye të moszbatimit të kushteve të sigurisë apo mospërmbushje detyrimesh për rehabilitimin e mjedisit. Me ndryshimet e reja ligjore, subjektet detyrohen të kryejnë rehabilitimin mjedisor në mënyrë progresive çdo vit, në ndryshim nga ligji i mëparshëm që e parashikonte këtë në përfundim të shfrytëzimit të lejes.

 

Top Channel