Berat, inaugurohet shëtitorja e re

12/10/2014 00:00

Pas një viti punimesh intensive qytetarët e Beratit tani kanë shëtitoren dhe sheshin e qytetit të përfunduar falë një financimi nga Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Bashkisë Berat me vlerë 3 milionë dollarë.

Kryeministri Edi Rama duke ecur së bashku me qytetarët beratas në këtë shëtitore, pa edhe panelet ku prezantoheshin projektet e ardhshme për Beratin.

Sipas kryetarit të Bashkisë, Fadil Nasufi projektet e nisura në qytet shënojnë nisjen e epokës e zhvillimit të qëndrueshëm e të integruar. Jemi sot në Berat deklaroi Kryeministri Rama me premtime të mbajtura.

“Ne kemi investuar në këtë qytet më shumë sesa në 10 vitet e fundit të marra së bashku Për të përmbushur zotimin tonë, në fakt na mjafton edhe një vit tjetër, sepse edhe në vitin që vjen do të bëjmë përsëri më shumë se në 10 vitet e fundit”, u shpreh Kryeministri Rama.

Por edhe njëherë tjetër nga Berati, Kryeministri ritheksoi se nuk do të lejohet zaptimi i hapësirave publike.

“Atyre që thonë që ne po shkatërrojmë, unë do t’ju sillja në vëmendje atë që thoshte Pikaso: “Ne shkatërrojmë për të ndërtuar.” Dhe nuk ndërtojmë për të shkatërruar, siç ka ndodhur vite të tëra, ku edhe investimet që janë bërë në emër të ndërtimit më shumë kanë sjellë shkatërrim dhe rrënim, sesa kanë sjellë ndërtim. Sigurisht, edhe në Berat nuk do të lëmë pa shkatërruar  ndonjë godinë pa leje, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë që i zë sytë qytetit të vjetër”, shtoi Kryeministri.

Bashkia e Beratit i akordoi Kryeministrit edhe medaljen e mirënjohjes, për mbështetjen dhënë qytetit. Të cilën, nga ana e tij, Kryeministri ia dedikoi Zëvendëskryeministrin Niko Peleshi si koordinator i programit “Rilindja e qyteteve”.

Me një financim të Qeverisë me vlerë rreth 262.5 milionë lekë po vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e rrugës së re të lumit, që si veçanti ka vendosjen e kangjellave dekorative sipas standardeve të zonës muzeale.

Investime edhe në zonën muzeale
Rama vizitoi edhe zyrën e punës: Një rrugë më shumë për punësimin

Zyrën e re të punës në Berat, krahas atyre të hapura tashmë në qytetet kryesore të vendit kryeministri e quajti si një rrugë e re dhe një rrugë më shumë për punësimin.

“Më lejoni t’ju them se në se në periudhën janar-shtator, zyrat e punës, gjatë këtij viti kanë pritur, kanë regjistruar, kanë marrë në intervistë 50 387 njerëz. Ky numër është 10 herë më i madh se e njëjta periudhë e një viti më parë. Dhe janë 12 607 punëkërkues, drejtpërdrejt në zyrat e punës, që sot janë në punë dhe ndërkohë që do të thotë se janë 18 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. E, ndërkohë janë 23 mijë vende të lira pune, të shpallura nëpërmjet sistemit të zyrave të punës. Që do të thotë 20 herë më shumë se në vitin 2013”, deklaroi Edi Rama.

Kryeministri u ndal edhe në qendër të Urës Vajgurore, ku edhe aty njoftoi fillimin së shpejti të projektit për bulevardin dhe sheshin qendror.  

Pas Beratit, Kryeministri Rama inspektoi edhe ecurinë e punimeve në të tria lotët e aksit Lushnje-Berat.

Top Channel