Barazim 1-1. Berisha shpëton kombëtaren në fund

11/10/2014 00:00

Shqipëria fiton stadiumin “Elbasan Arena”, por jo 3 pikët e nevojshme me Danimarkën. Kombëtarja jonë e futbollit e drejtuar nga Giani De Biasi zbriti në fushë plot besim për një rezultat pozitiv i cili erdhi në pjesën e parë të takimit, në minutën e 38, pas një gjuatjeje të Lenjanit që përfundoi në rrjetë.

Goli rriti besimin dhe po ashtu edhe presionin e skuadrës sonë ndaj një kundërshtari që deri në momentin që pësoi gol nuk kishte qenë i rrezikshëm për portën e mbrojtur nga Etrit Berisha. Skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes pas 45 minutave të para me rezultatin 1-0 në favor të Shqipërisë.

Pjesa e dytë nis me një lloj tentative të miqve për të barazuar rezultatin, por pa mundur të konkretizojnë. Ndërsa djemtë kuqezi besonin se mund të shënonin edhe golin e dytë. Trajneri Polsen kreu 3 ndërrime duke synuar përforcimin e mesfushës dhe kjo taktikë duket se funksionoi pasi falë inkursioneve të herëpashershme me vertikalizime, danezët u shfaqën në minutën e 81 me Vibe para portës, i cili realizoi golin e barazimit.

Por, kombëtarja jonë mund të kishte dalë edhe pa pikë në ndeshjen e saj të parë zyrtare në “Elbasan Arena”, kur në minutën e fundit të takimit, Vibe, autori i golit të barazimit në minutën e 81, doli sërish përballë portierit Etrit Berisha, i cili arriti të priste goditjen e numrit 21 danez duke shpëtuar pikën.

Pas 4 ditësh, djemtë kuq e zi do të jenë në Beograd për ndeshjen e radhës në grup me Serbinë.

Renditja e grupit I pas dy ndeshjeve të luajtura është kjo:

Danimarka 4 pikë

Shqipëria 4

Serbia 1

Armenia 1

Portugalia 0

Top Channel