Shqipëria, asnjë rast të dyshuar me Ebola

10/10/2014 00:00

Autoritetet shëndetësore shqiptare deklarojnë se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me virusin e Ebolës dhe se pas lajmeve se virusi mund të ketë mbërritur në rajonin tonë, spitalet janë vënë në gatishmëri për të trajtuar çdo rast të mundshëm të dyshuar.

“Janë disa rrugë që mund të transmetohet Ebola, mund të jetë për shkak të mungesës së kushteve higjeno-sanitare në sistemin shëndetësor. Për këtë arsye i kemi dhënë urdhër QSUT-së që të marrë masa dhe të jetë në gatishmëri. Edhe policisë kufitare i kemi listuar masat e thjeshta që çdo punonjës, i policisë apo i shëndetësisë, duhet t’i zbatojë. Janë masa të lehta si për shembull larja e duarve, dezinfektimi i sipërfaqeve, etj”, deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Për shkak të dyshimeve të pranisë së virusit në rajon, ministri bëri të ditur se kufiri me Maqedoninë do të monitorohet nga specialistë të shëndetit publik.

“Janë grupet e punës në terren për të mbikëqyrur lëvizjet. Ministria e Brendshme na ka lejuar akses në sistemin TIMS për të parë origjinën e vendeve nga vijnë udhëtarët. Gjithashtu, në aeroport është një qendër shëndetësore që është në gatishmëri për të plotësuar pyetësorët për udhëtarët që vijnë nga këto vende”, tha Rrjepaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten tek mjeku nëse pasi kthehen nga udhëtime në vendet e dyshuara shfaqin simptomat e viruseve të stinës si grip, rrufë apo të vjella.

“Nëse kanë familjarë që kanë udhëtuar jashtë dhe kanë simptoma karakteristike si virozat e stinës, të shkojnë tek mjeku për ndihmë. Ka persona që kanë udhëtuar për në Haxh dhe anasjelltas. Jemi duke monitoruar situatën”, shtoi numri dy i Shëndetësisë.

Top Channel