“Një mbrojtës për Shqipërinë”

10/10/2014 00:00

Historianë, studiues, gazetarë dhe njerëz të filmit ndoqën në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dokumentarin me titull “Një mbrojtës për Shqipërinë, 100 vjet pas luftës së madhe”, të gazetares Genta Popa Prodani.

Imazhi nga Spartak Papadhimitri dhe postproduksioni nga Denada Beqiri, ky dokumentar historik, një prodhim i fundit i kompanisë Digitalb, tregon përmes imazhit, intervistave dhe narracionit ngjarjet kryesore në Shqipëri gjatë katër viteve të Luftës së Parë Botërore. Një luftë që erdhi shpejt për shtetin e ri e të brishtë shqiptar, i cili vetëm 2 vite pas krijimit pushoi së ekzistuari.

Vendi u bë arena e operacioneve ushtarake të disa forcave ndërluftuese që pushtuan Shqipërinë. Krahas historianëve shqiptarë, në këtë dokumentar japin argumentat e tyre dhe dy historianë të huaj. Profesori i historisë në Universitetin e Vjenës, Memfrid Raumshtajner, tregon për planin e Austro-Hungarisë për vendin e Skënderbeut, ndërkohë që Nikola Gai, autore nga Londra shpjegon përse Fuqitë e Mëdha nuk e mbrojtën Shqipërinë ashtu siç mbrojtën Belgjikën.

Përmes dokumentarit dëshmohet periudha që la gjurmë të mëdha në kujtesën historike shqiptare, në një prej ngjarjeve më të mëdha të historisë njerëzore siç është Lufta e Parë Botërore.

Pas filmit, të ftuarit ndoqën ekspozitën Lufta e Madhe dhe Shqipëria, me shumë ekzemplarë autentikë nga shtypi i asaj kohe, por edhe revista e botime më të specializuara ku intelektualët shqiptarë në vend e diasporë shprehën zërin e botës shqiptare në kakofoninë e zhurmshme të luftës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta