Grabitësit i marrin makinën në rrugë ish-kreut të privatizimeve

10/10/2014 00:00

Fatmir Isufaj, ish-kreu i privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë, dhe
një femër, janë grabitur parmbrëmë në periferi të Tiranës, teksa
ktheheshin nga Durrësi. Katër hajdutët u kanë marrë mjetin tip “Benz”,
prodhim i vitit 2010 dhe celularët e tyre personalë, duke u larguar më
pas në drejtim të Fushë-Krujës.

Viktimat e grabitjes kanë bërë kallëzim penal në Policinë e Tiranës, ndërsa ekspertët e uniformave blu nisën punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Identitetin e pronarit të mjetit të grabitur e bënë të ditur për gazetën “Shqip” burime pranë Policisë së Tiranës, ndërsa burimet zyrtare thanë se personi në fjalë kishte inicialet E.H.

Katër të rinj u kishin zënë pritë dy personave që po vinin nga Durrësi dhe u dolën përpara në Qafë-Kashar, në afërsi të një qendre tregtare. Punonjësi aktual i Hipotekës, ish-drejtori i privatizimeve në Ministrinë e Energjetikës dhe Ekonomisë, Fatmir Isufaj, dhe një femër, po udhëtonin me një mjet tip “Mercedes Benz Evolution”, prodhim i vitit 2010, me targa AA 224 FT, kur grabitësit shfrytëzuan aksin ku makina ul shpejtësinë, për t’ua ndërprerë rrugën.

Nën kërcënimin e armëve (dyshohet se mbanin kallashnikovë dhe pistoleta), ata i detyruan këta dy persona që të dilnin nga makina. Nga të njëjtat burime policore bëhet e ditur se gjithçka ndodhi në pak minuta dhe agresorët nuk ishin të interesuar për të marrë gjë tjetër, veç makinës. Duke i kërcënuar për jetën dhe nën presionin më tepër të dhunës psikologjike sesa fizike, ata u kanë kërkuar edhe telefonat celularë, me qëllim që të mos lajmëronin policinë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, duke e lënë në rrugë Isufajn dhe femrën, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur.

Të ndodhur në mes të rrugës, dy personat erdhën drejt Tiranës, për të bërë denoncimin pranë drejtorisë së policisë së këtij qarku. Policia ka gjetur dy celularët, që grabitësit i hodhën në rrugë dhe janë sekuestruar kamerat e bizneseve përreth. Në njoftimin e saj zyrtar, Policia e Tiranës thotë: “Më datë 8 tetor 2014 rreth orës 21:30, në rrugën dytësore në afërsi të ‘B…’, në Qafë-Kashar, dyshohet se katër shtetas të armatosur kanë vjedhur automjetin me targa AA 224FT, në pronësi të shtetasit E.H.

Aktualisht, nga strukturat e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po kryhen veprimet”. Nga ana tjetër, burimet jozyrtare nga Policia e Tiranës thanë se mbrëmjen e vonë të së mërkurës, është bërë një denoncim nga shtetasi Fatmir Isufaj. Ai u ka thënë oficerëve të policisë se persona të armatosur i kishin grabitur makinën. Më tej, ish-drejtori i privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë dhe aktualisht punonjës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, shpjegon se ndodhej në shoqërinë e koleges së tij, me të cilën kishin shkuar në një qendër tregtare në Durrës, për të blerë disa materiale. Në kthim, katër të rinjtë u dolën përpara me armë dhe u grabitën makinën. Ndërkaq, Policia e Tiranës thotë zyrtarisht se pronari i mjetit ishte personi me inicialet E.H., çka nënkupton se Isufaj nuk e kishte makinën e tij. Por zyrtarisht, policia nuk publikon identitetet apo inicialet e personave të grabitur, teksa gjithçka pritet të sqarohet në orët në vijim. Isufaj u largua nga posti i drejtorit të privatizimeve në vitin 2012, ku ishte emëruar nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Më 15 janar të këtij viti, në Gjykatën e Apelit Tiranë, ishte seanca e radhës gjyqësore, ku Isufaj kundërshton vendimin e shkarkimit, teksa momentalisht punon në Hipotekë.

Top Channel