
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri paralajmëroi masa të ashpra deri në arrestim për të gjithë ata që vjedhin energjinë elektrike.
Në një takim me strukturat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kukës, ministri Gjiknuri tha se qeveria do të nisë një plan masash në terren nga punonjësit e OSHEE dhe Policia e Shtetit për t’i dhënë fund fenomenit të vjedhjes se energjisë.
“Do të fillojë koha e arrestimeve për vjedhjen e energjisë. Ka ardhur momenti që njerëzit të burgosen për vjedhjen, flas për biznese që përdorin energjinë, nxjerrin fitime dhe nuk e paguajnë, nuk flas për debitorët. Masat në Kodin Penal janë shumë më të ashpra, nuk ka më dënime me gjoba, është vepër penale e pastër, është krim që duhet trajtuar në flegrancë”, deklaroi Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri paralajmëroi masa ndëshkimore edhe për punonjësit e OSHEE që bashkëpunojnë në vjedhjen e energjisë. “Policia nuk do merret vetëm me ata që vjedhin por dhe me bashkëpunëtorët e tyre në OSHEE dhe shumë shpejt do ngrihen struktura që do të mbikëqyrin veprimtarinë e saj”, nënvizoi Gjiknuri.
Abuzimi me energjinë shkakton 20% të humbjeve të energjisë ndërsa gjysma tjetër është humbje teknike për shkak të rrjetit të amortizuar. Ministri Gjiknuri tha se pas zgjidhjes së konfliktit me çekët e CEZ do të vërë në zbatim një plan investimesh prej rreth 160 mln dollarësh.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i OSHEE, Arben Seferi tha se grupet e punës duhet të punojnë akoma më shumë në drejtim të rritjes së nivelit të arkëtimit, ndërkohë që nuk do të tolerohen rastet kur konsumatorët vjedhin, dëmtojnë apo kundërshtojnë grupet e shpërndara në terren.
Top Channel