Fiton Italia, luan vetëm Chiellini

10/10/2014 00:00

Giorgio Chiellini ishte shpëtimtari i kombëtares italiane në “Renzo Barbera” të Palermos në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit, e cila u mbyll me rezultatin 2-1.

Zaza dhe Immobile ishin dy sulmuesit nga të cilët trajneri Conte priste më shumë të shënonin, por pavarësisht përpjekjeve të tyre goli dukej i vështirë për t’u arritur, deri në momentin kur mbrojtësi i Juventusit godet saktë me kokë pas një goditje nga këndi në minutën e 44, duke kaluar të kaltrit në avantazh.  

Pjesa e dytë nisi sërish me vendasit më kërkues, por të pranishmit në “Renzo Barbera” u befasuan kur Chiellini e dërgoi topin në portën e tij në minutën e 76-të dhe për pak sa nuk u shndërrua në personazhin negativ të ndeshjes. Por vetëm 6 minuta më vonë ishte sërish ai që e dërgoi topin në rrjetë, por këtë herë në portën mike dhe Italia mori 3 pikë të tjera. Në grupin H u luajtën edhe dy ndeshje të tjera, ku Kroacia fitoi në Bullgari 0-1 dhe Norvegjia në Maltë 0-3.

Në grupin A, Holanda me vështirësi arriti te fitorja në shtëpinë e saj ndaj modestëve të Kazakistanit, të cilët kaluan në avantazh të parët, por “tulipanët” kthyen gjithçka në pjesën e dytë duke shënuar 3 gola. Në këtë grup hap të gabuar bëri Turqia, e cila u mposht 1-2 në Stamboll nga Çekia. Ndërsa Letonia u mposht 0-3 në shtëpi nga Islanda, e cila vazhdon të bëjë paraqitje impresionuese.

Të premten u luajtën edhe ndeshjet e grupit B, ku Belgjika shkatërroi Andorën 6-0, Izraeli fitoi në Qipro 1-0, ndërsa Uellsi dhe Bosnja e mbyllën në barazim 0-0.

Top Channel