“Pa PDK, shkohet në zgjedhje të parakohshme”

09/10/2014 00:00

Edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga zgjedhjet në Kosovë, PDK dhe blloku opozitar, vijojnë të qëndrojnë shumë larg gjetjes së një marrëveshje.

Pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa PDK-në dhe se kusht i panegociueshëm është emri i Kryeministrit.

Sipas Krasniqit, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë gjithë e hapur për negociata, por duke zbatuar dy shtyllat kryesore sipas tij, verdiktin e qytetarëve dhe vendimet e gjykatave.

Pandi Gjata: A do të merrni pjesë në seancën e sotme?  

Memli Krasniqi: Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që prej fillimit. Çdo veprim të vetin PDK-ja e ka bazuar vetën në respektimin e plotë dhe pa rezerva të Kushtetutës së Republikës se Kosovës. Thirrjen e seancës është kategorish e paligjshme. Kryesuesja e seancës, zonja Brovina ka të drejtën për të thirrur seancën dhe për ta udhëhequr atë. Kjo është një situatë e paqartë, por edhe e panevojshme. Seanca e nesërme nuk është ligjore dhe as zyrtare.
 
Pandi Gjata: Qëndrimet e PDK-së dhe bllokut pas zgjedhor në anën tjetër duket se janë dy ekstreme të kundërta që nuk po përafrohen prej javësh. Zoti Thaçi ka bërë thirrje për bisedime për arritjen e një marrëveshje. Çfarë është e gatshme të lëshojë PDK-ja për arritjen e marrëveshjes?

Memli Krasniqi:
Kjo nuk është risi, pasi që prej ditës së parë zoti Thaçi e ka shprehur qëndrimin e PDK-së që ne jemi të gatshëm për të biseduar me të gjithë dhe për të parë më pas mundësitë e marrëveshjeve. Ne e konsiderojmë si vlerë diskutimin ndërpartiak. Ka pasur një bllokadë nga ana e bllokut opozitar mbi këtë çështje. Kjo është e pashpjegueshme, pasi kemi deklarime të panumërta nga përfaqësues të bllokut për gatishmërinë e tyre për të biseduar për çështje të rëndësishme, madje edhe me Presidentin apo edhe më Kryeministrin e Serbisë, ka pasur takime edhe me deputetë të minoritetit serb dhe më pas thonë se nuk do të diskutojmë në asnjë mënyrë me PDK-në. Megjithatë qëndrimi ynë është konstruktiv, kjo ka të bëjë me përgjegjësinë që kemi si partia më e madhe në vend dhe fituese e zgjedhjeve. Është e pamundur të flasësh se cilat do të ishin formulat e qeverisë edhe me cilin. Këto duhet të dilnin nga një dialog konstruktiv dhe të hapur, i cili synon të vendosi përpara interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Çdo marrëveshje e arritur duhet të ketë si shtylla kryesore dy çështje. E para, verdiktin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e lira dhe e dyta, respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Nëse biem dakord për këto dy parime themelore, atëherë diskutimet mund të çojnë në arritjen e një marrëveshjeje. Ne jemi të gatshëm për të biseduar. Sa herë që kemi fituar zgjedhjet ne kemi pasur të njëjtën qasje, por kjo nuk do të thotë që ne të bëjmë marrëveshje me të gjithë.

Pandi Gjata: Me kryetarët e katër partive që janë në koalicionin pas zgjedhor, duket se është e pamundur të bisedoni pasi ata shprehen se PDK-ja e ka vendin në opozitë. A jeni duke negociuar me deputetë të këtyre partive për të garantuar një shumicë ju si PDK?

Memli Krasniqi: Vendi i PDK-së është vendosur nga qytetarët e Kosovës. Ne kemi pasur një proces shembull zgjedhor dhe PDK-ja vetëm sa ka shtuar numrin e votave edhe në garën mes kandidatëve për Kryeministër zoti Thaçi ka dalë bindshëm më i votuari. Verdikti i qytetarëve është tepër i qartë për të vazhduar me një qeverisje të udhëhequr nga zoti Thaçi dhe nga PDK-ja. Për çështjet e tjera mund të diskutohet, por duhet të ulemi për të diskutuar, për ndryshe është e vështirë për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale. Tashmë një gjë është e qartë, nuk mund të ketë në asnjë mënyrë zgjidhje të situatës pa PDK-në, kjo tashmë është e konfirmuar. Nëse do të vazhdojmë të mos diskutojmë, atëherë për fat të keq alternative e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme. Është e pamundur që blloku të themelojë këto institucione.

Pandi Gjata: Jemi më afër zgjidhjes apo zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë?

Memli Krasniqi: Është e vështirë të jepet një përgjigje e prerë. Mendoj që vullneti i të gjithëve është të gjendet një zgjidhje, por duhet të kalohet edhe nga blloku opozitar nga deklarimet në veprime konkrete sepse zgjidhja është gjithmonë e mundshme nëse vendosen interesat e vendit para interesave personale të liderëve opozitarë. Është për të ardhur keq që edhe pse kanë kaluar 4 muaj që prej zgjedhjeve liderët e opozitës i kanë vënë interesat personale para interesave të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA