19 persona janë ndaluar dje nga policia, mes tyre edhe dy gra nga fshati Lazarat. Ata mendohet se janë një pjesë e grupit që sulmoi dje me gurë forcat e rendit në këtë fshat.

Disa persona janë në kërkim, ndërsa të dyshuar si organizatorë të akteve të dhunës sipas policisë janë edhe disa mësues të shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme në këtë fshat. Sipas shpjegimit të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, rreth orës 1 e 30 të ditës së djeshme 50 deri 60 nxënës të shkollës 9-vjeçare, së bashku me një grup gjimnazistësh kanë shkuar në qendër të fshatit dhe nisën të godasin dje me domate dhe vezë forcat e rendit.

Kjo ishte një protestë e parapërgatitur që kundërshtonte forcat e policisë që po qëndrojnë në këtë fshat. Në ndihmë të grupit të FNSH-së, kanë shkuar dy patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe forca të tjera të Policisë. Por, ata janë qëlluar me gurë nga nxënësit, mes të cilëve ishin edhe disa gra me precedentë kriminale që në vitin 1998 kanë gjuajtur me armë mbi policinë, si dhe familjarë të të arrestuarëve që kanë kundërshtuar me armë policinë gjatë operacionit antikanabis të zhvilluar gjatë muajit qershor në Lazarat,  kanë sulmuar me gurë forcat e policisë dhe automjetet e policisë.

Tre policë u plagosën nga gurët dhe dy automjete u dëmtuan rëndë. Policia rimori situatën shumë shpejt dhe pas shoqërimeve të para nisi puna për kapjen e organizatorëve të këtyre akteve. Policia ju bën thirrje prindërve të nxënësve të përfshirë në këtë ngjarje që të mbajnë fëmijët nën kontroll dhe të distancohen nga këto veprimeve antiligjore, pasi persona me precedent kriminalë që u është cënuar dhe goditur interesi dhe veprimtaria e tyre kriminale po i përdorin nxënësit për qëllimet e tyre kriminale.

Policia ka informacion se edhe disa mësues të shkollave janë nxitës të akteve të dhunës nga ana e nxënësve.

Top Channel