Falenderimet për vizitën e Papa Françeskut

09/10/2014 00:00

Përfaqësuesit e komunitetit katolik të vendit kanë qenë pasditen e së enjtes në një ceremoni në selinë e Kryeministrisë, për të falenderuar ekzekutivin shqiptar për organizimin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Në fjalën e tij, kryepeshkopi i Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirdita shprehu mirënjohjen e tij “të thellë” për mundësimin e kësaj vizite, e cila sipas tij nxorri në pah vlerat më të mira të popullit shqiptar.

“Ju shpreh mirënjohje të thellë për organizimin e kësaj vizite. Ardhja e Papa Françeskut përcolli tek të gjithë mesazhin se Shqipëria është një vend evropian”, u shpreh Mirdita.

E pranishmë në këtë ceremoni, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila drejtoi dhe grupin e punës për këtë vizitë, falenderoi institucionet e ndryshme për bashkëpunimin që ofruan.

Gjithashtu, ajo falenderoi edhe qytetarët shqiptarë “për qytetarinë e treguar” në këtë ditë të rëndësishme, e cila tërhoqi vëmendjen e mediave nga e gjithë bota.

Ndërsa kryeministri Rama, në fjalën e tij, shprehu emocionet e asaj dite dhe tregoi përshtypjet që ati i shenjtë i kishte rrëfyer në fund të vizitës së tij.

“Vizita e Papa Françeskut u përjetua me emocion. Ajo preku të gjithë, pa dallim besimi. Pritja që u bë gjatë gjithë ditës nga të krishterë e myslimanë ishte një mrekulli e rrallë për popullin shqiptar. U pa një vend që nuk ka sherre e ndasi fetare. Në rrugën e tij në kthim Papa Françesku thoshte se Shqipëria është një vend evropian që nuk ka harmoni, por vllazëri fetare. Kur u ndamë në aeroport ai më tha ‘të falenderoj jo thjesht që më ftove, por që më bëre të mundur të shoh e përjetoj diçka që s’prisja ta përjetoja: vllazërinë fetare’”, tregoi Rama.

Top Channel