Dosja e supervjedhjes prej 713 milonë lekësh në Bankën e Shqipërisë do të përfundojë në gjykatën penale të Tiranës e ndarë në tre pjesë, çka do të thotë se 19 të dyshuarit, shumica nën akuzë për shpërdorim detyre, nuk do të jenë përpara së njëjtës trupë gjyqësore.

Burime zyrtare i thanë Top Channel se grupi i hetimit po diskuton që të dërgojë së shpejti në gjykatë konkluzionet e hetimit për grupin e parë të bankës, prej 14 të akuzuarish, ku mbizotërojnë përgjegjësit e arkës në veprim në Departamentin e Emisionit dhe inventarizuesit.

Në këtë dosje, ku ndodhen që të gjithë nën akuzë për shpërdorim detyre, Prokuroria e Tiranës pretendon në rrugë jozyrtare se e ka sqaruar e provuar me dokumente rolin dhe përgjegjësinë e secilit dhe javën tjetër thuhet se do të shpallë mbylljen e hetimit për ta.

Në këtë dosje pritet të jenë, thonë burimet, Gentjan Jahja, Ilir Dedja, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Mehdi Molla, Fatbardha Gurthi, Emiliano Lambe, Petrit Ramohitaj, Liljana Tusha, Lavdim Cani, Muzejen Belba, Dhimitër Davidi, Bashkim Xhilaga dhe Dorian Çollaku.

Në grupin e dytë, të pandehurit e të cilit në bazë të proçedimit penal mund të gjykohen të veçuar, pritet të jenë: ish-përgjegjësi i arkës stok Ardian Bitraj, kolegia e tij Mimoza Bruzia dhe Klevis Bejtjaj, që të tre të dyshuar për vjedhje të bankës dhe arkës së kursimeve.

Ata do të gjykohen veçmas për shkak sepse prokurorët nuk kanë gjetur ende destinacionin e 713 milionë lekëve të vjedhura, pavarësisht se bankat kanë kthyer përgjigje për pasuritë dhe llogaritë e secilit.

Ndërkohë, pjesa e tretë për të cilën ka më shumë diskutime dhe pikëpyetje se çfarë do të bëhet është për dy të dyshuarit që mbeten: ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe ish-inspektorja e përgjithshme Elivar Golemi.

Ne, thanë burimet, nuk kemi vendosur nëse të dy zyrtarët do të gjykohen së bashku, apo nëse Elivar Golemi do të jetë në grupin e 14 nëpunësve të Departamentit të Emisionit.

Por, duke qenë se sipas prokuorëve nuk është zbardhur plotësisht përgjegjësia e Fullanit dhe Golemit, ka dy opsione që kanë nevojë ende për diskutime mes hetuesve. Ose Fullani dhe Golemi do të jenë së bashku përpara gjykatës penale, ose ish-guvernatori do të dalë i vetëm para gjykatës.

Top Channel