Champions, ndryshojnë “kokat e grupeve”?

09/10/2014 00:00

Duket se edhe komiteti ekzekutiv i UEFA-s ka dëshirë për ndryshime. Së shpejti pritet të diskutohet idea e ndryshimit të sistemit të “kokave të grupit” sa i përket shorteve për Champions League në fillim të çdo sezoni.

Projekti do të parashikonte futjen në vazon e parë të skuadrave si; fituesja e trofeut në fuqi dhe fituesit e 7 kampionateve më të mëdha europiane. Në këtë mënyrë do t’i bëhej edhe një favor Italisë, e cila aktualisht nuk ka asnjë skuadër pretendente për vazon e parë.

Me këtë reformë po punohet aktualisht dhe, sipas një burimi nga UEFA, do të duhet të diskutohet dhe ndoshta edhe të miratohet, përgjatë takimit të Ekzekutivit në Nion gjatë 4-5 Dhjetorit të këtij viti.

Idea është që të vlerësohen në një mënyrë më të saktë e të prerë klubeve kampione të ligave më të rëndësishme, duke hequr kështu mundësinë e përzgjedhjes së tyre bazuar mbi renditjen e UEFA-s për klube.

Në këtë mënyrë nuk do të ketë më shtete me nga 3 skuadra të vendosura në vazon e parë kur të hidhet shorti, siç ndodhi këtë vit me Spanjën, e cila kishte Real Madridin, Barcelonën dhe Atletico Madridin si “koka grupi”. Ndërsa me Anglinë ndodhi diçka edhe më e çuditshme, pasi Manchester City fitues i kampionatit nuk ishte në vazon e parë, por ishin Chelsea dhe Arsenal…

Aktualisht, 7 vendet e para të klasifikimit të UEFA-s janë Spanja, Anglia, Gjermania, Italia, Portugalia, Franca dhe Rusia.

Top Channel