Tre policë janë plagosur njëri në fytyrë dhe dy të tjerët në pjesë të ndryshme të trupit për shkak se u sulmuan nga një grup të rinjsh me gurë në fshatin Lazarat.

Policët ndodheshin në qendër të fshatit kur një grup të rinjsh kanë reaguar kundër pranisë së shtuar të policisë në zonë dhe kanë kërkuar largimin e tyre duke qëlluar me mjete rrethanore dhe gurë mbi automjetet e policisë. Dy automjete të policisë janë dëmtuar rëndë.

Situata është tensionuar për minuta të tëra dhe të rinjtë arritën dhe ndërtuan edhe një barrikadë me gurë për të penguar kalimin e automjeteve të policisë. Forcat e rendit pas një largimi disa minutash janë rikthyer në fshat duke nisur kontrollet dhe kanë shoqëruar 19 persona.

Ndërkaq, Policia e Shtetit me anë të një deklarate për shtyp bëri të ditur se, rreth 50  deri në 60 nxënës të shkollës 9 vjeçare në Lazarat, ku ndërmjet tyre ka pasur edhe nxënës të shkollës së mesme të bashkuar “Muhamet Gjollesha”, Lazarat  kanë shkuar në qendër të fshatit dhe menjëherë kanë filluar të gjuajnë me domate, vezë dhe më pas me gurë  makinën e FNSH-së dhe punonjësit policisë të repartit të FNSH-së që kryenin shërbim në qendër të fshatit Lazarat.

“Në ndihmë të grupit të FNSH-së, kanë shkuar dy patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Në momentin që  forcat e tjera të policisë kanë mbërritur në qendër të fshatit, nxënësit e shkollës “Muhamet Gjollesha”,  ku ndërmjet tyre u futën edhe gra me precedentë kriminale që në vitin 1998, kanë gjuajtur me armë mbi policinë, si dhe familjarë të të arrestuarëve që kanë kundërshtuar me armë policinë gjatë operacionit antikanabis të zhvilluar gjatë muajit qershor në Lazarat , kanë sulmuar me gurë forcat e policisë dhe automjetet e policisë”,  thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Mësohet se deri më tani janë shoqëruar 19 persona ndërmjet tyre dy femra dhe po punohet për shoqërimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Top Channel