Blatter duket “i hapur” ndaj moviolës në fushë

08/10/2014 00:00

Ndeshja Juve-Roma e së shtunës së kaluarës ka qenë një tjetër shkak për t’i dhënë shtysë futjes së teknologjisë në fushat e blerta të futbollit, apo futja e moviolës.

Gazzeta dello Sport bën të ditur se kampionati italian mund të shërbejë si “kavje” e një projekti, që kreu i FIFA-s Blatter ka nisur ta marrë seriozisht në konsideratë.

Pas teknologjisë së vijës fatale “goal-line” të përdorur gjatë Botërorit, tashmë mund të kalohet përfundimisht në përdorimin e teknologjisë për pozicionin jashtë loje, penalltitë dhe madje edhe ndëshkimet me karton të kuq.

Nga sa kuptohet, në studio do t’u lejohet çdo skuadre të kërkojë të ndërhyrjen televizive për 2-3 raste në harkun e një 90-minutëshi. Tre, po aq sa dhe gabimet e kontestueshme nga Roma gjatë fundjavës së kaluar, ose dy, sa rastet e servirura Juventusit për të verifikuar ndërhyrjen për 11-metërsh ndaj Marchisios, apo edhe përplasja kokë më kokë mes Tottit dhe Lichtsteiner, përpara penalltisë së dhënë verdhekuqve.

Kuptohet që ende janë në fazën e hipotezave, por mjafton momentalisht që Blatter duket i gatshëm t’i japë dritën jeshile këtyre zhvillimeve, një person i cili prej vitesh ka qenë kundër futjes së teknologjisë apo basteve, pavarësisht se e dinte shumë mirë që herët apo vonë do të vinte edhe koha për t’i përdorur ato.

Top Channel