Digitalb “vishet” kuqezi

07/10/2014 00:00

Pas shumë vitesh si ndjekëse dhe promovuese mediatike e përfaqësueses shqiptare të futbollit, kompania Digitalb ka vendosur tashmë që të bëhet një me kombëtaren kuqezi.

E përbashkëta e tyre, si përfaqësuese të Shqipërisë në sport dhe në media, e ka bërë më të thjeshtë arritjen e marrëveshjes.

Për të vërtetuar këtë gjë, vetë Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Digitalb, Alban Jaho, sqaron se me këtë sponsorizim, kompania Digitalb kërkon më tepër bashkimin e forcave, atyre sportive dhe mediatike, se sa thjesht reklamimin e produkteve.

“Erdhi koha apo na takon që të jemi më shumë se kaq. Sloganet tona janë ‘Platforma e gjithë shqiptarëve’ dhe ‘Ne ecim me hapin e kohës’. Gjetëm që këto slogane ekzistojnë edhe në kombëtaren e Shqipërisë, në Federatën Shqiptare të Futbollit. Pra, për ne ishte një martesë brenda llojit dhe nuk do të donim të ecnim të shkëputur nga njëri-tjetri. Madje mendojmë se edhe sponsorizimi do të jetë jo vetëm financiar, por ne do të ofrojmë dhe asetet e gjithë mundësitë tona, që kemi në dispozicion. Do ta kurojmë këtë gjë me shumë profesionalizëm dhe e reja që do të sjellim është se ne nuk do të tentojmë në asnjë moment, të themi të promovojmë produktet tona, por do të promovojmë atmosferën, kuqezinjtë, tifozët dhe kombëtaren”, u shpreh Alban Jaho, Drejtor i Përgjithshëm i Digitalb.

Prezantimi i sponsorëve të përfaqësueses së Shqipërisë bëhet pak ditë përpara ndeshjes me Danimarkën, që është edhe ndeshja e parë brenda e këtij edicioni dyvjeçar për kualifikueset e Europianit “Euro 2016”.

Veç kësaj, lojtarët e përfaqësueses i janë bashkuar nismës sensibilizuese për fushatën kundër duhanpirjes, ku të pranishëm ishin ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe kryeinspektori Eltar Deda.

Top Channel