Di Matteo do të drejtojë Schalke 04

07/10/2014 00:00

Roberto di Matteo është trajneri i ri i Schalke 04. Lajmin e ka bërë vet klubi gjerman përmes profilit zyrtar në Twitter.

Tekniku italian do të pasojë në këtë pankinë gjermanin Jens Keller, i shkarkuar pas humbjes në Bundesliga kundër Hoffenheimit.

Pas eksperiencës te Chelsea, e që më pas u shoqërua me 2 vite inaktivitet, trajneri i rritur në Zvicër rikthehet në krye të pankinës së një klubi të rëndësishëm.

Ndeshja e fundit si trajner për Di Matteon mbahet mend më 21 Nëntor të vitit 2012. Chelsea humbiste 3-0 ndaj Juventusit në fazën e grupeve të Champions League. Në vend të tij do të ulej menjëherë Rafa Benitez.

Megjithatë, 44-vjeçari nga Schaffhausen është tepër i vlerësuar nga tifozët e “bluve” të Londrës, kjo për shkak se ai u dhuroi trofeun e Champions League, i pari dhe i vetmi në historinë e klubit gjerman, gjatë sezonit 2011-2012. Në të njëjtin vit, trajneri italian rrëmbeu për londinezët edhe trofeun e Kupës FA.

Tashmë detyra e Di Matteos është rizgjimi i Schalke 04, e renditur në vendin e 11 të kampionatit me 9 pikë më pak nga Bayerni kryesues. Në Champions, gjermanët janë në vend të dytë, së bashku me Mariborin, në kuotën e 2 pikëve. Në krye të grupit është Chelsea, ekip me të cilin tekniku italian do të përballet më 25 Nëntor në “Veltins-Arena”.

Top Channel