Sanitarja denoncon kryekomunarin e Libonikut

06/10/2014 00:00

Një sanitare ka denoncuar kreun e komunës Libonik të Korçës, Petrit Kupe, se i ka kërkuar marrëdhënie intime për të mbajtur vendin e punës.

Kupe është denoncuar nga sanitarja e shkollës së fshatit Drithas, Miranda Shuli, e cila ka thënë se e pushuan nga puna pasi kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me të.

Sipas të dhënave, Kupe i ka kërkuar asaj disa herë që të kryenin marrëdhënie, madje ai ka arritur deri atje sa të shkojë në ambjentet e shkollës dhe të kërkoje një lidhje intime, duke i bërë presion se nëse nuk pranonte do ta pushonte nga puna.

Sipas vjehrrës së Miranda Shulit, kreu i komunës e ka pushuar atë nga puna pasi ajo ka refuzuar të ofrojë seks në këmbim të punës.

Por akuzat nuk kanë kaluar në heshtje nga kreu i komunës. Petrit Kupe ka mohuar të ketë kryer një veprim të tillë duke e konsideruar këtë një hakmarrje të sanitares, pasi i ka komunikuar pushimin mga puna. Madje, ai ka bërë denoncim për shpifje për shkak të detyrës.

Nga ana e saj, Policia e Korçës ka shoqëruar në komisariat të dyja palët për sqarime të mëtejshme.

Top Channel