
Një studim i fundit ndërkombëtar i Cambridge University lidhur me mjedisin dhe ekonominë tregon se një shkurtim me 40% në përdorimin e energjisë me anë të masave të efiçencës deri në vitin 2030, rrit në mënyrë evidente ekonominë.
Në qendër të këtij hulumtimi është Britania e Madhe dhe nëse kjo masë ndërmerret nga qeveria, atëherë parashikohet një rritje e GDP-së me 62 miliardë paund, si edhe krijohen rreth 40 mijë vende të reja pune.
Ndërsa nëse objektivi realizohet me 30% reduktim të përdorimit të energjisë, atëherë edhe efikasiteti i kësaj nisme do të jetë tre herë më i ulët. Megjithatë, për shkak të lirisë, shtetet e kanë vetë në dorë për të zgjedhur politikën e tyre të energjisë.
Studimi nënvizon rëndësinë e madhe që inxhinieria dhe teknologjia kanë në realizimin e projektit dhe thekson se, nëse qeveritë do të tregohen ambicioze, përfitimet do të jenë mbresëlënëse.
Ky projekt ka gjetur mbështetje të madhe edhe nga ambientalistët, të cilët mbrojnë tezën se është momenti i duhur për uljen e dioksidit të karbonit në ajër.
Ndërkohë, ministrat e Energjisë dhe Mjedisit të vendeve të BE-së janë mbledhur në Milano për të diskutuar objektivat për efikasitetin e energjisë si pjesë e një pakete më të gjerë të qëllimeve të klimës dhe të energjisë për vitin 2030, që aktualisht përfshin rritjen e burimeve të rinovueshme.
Top Channel