Rama-Basha, sa afër dhe sa larg

06/10/2014 00:00

Konferenca “Reformimi i sistemit gjyqësor në Shqipëri” ka qenë një rast i mirë jo vetëm për të diskutuar mbi reformimin e drejtësisë, por për të parë bashkë në një tryezë dhe ballë për ballë aktorët si nga politika dhe nga vetë drejtësia, në një kohë debatesh të forta politike e juridike.

Në pamundësi për të parë në Parlament mazhorancën dhe opozitën, si dhe për të testuar marrëdhëniet aspak të ngrohta institucionale mes qeverisë dhe presidentit të Republikës, të gjithë kanë qenë të mbledhur qoftë edhe për disa orë në një tavolinë.

Por ndasitë mes kampeve politike u demonstruan edhe njëherë tjetër publikisht në nisjen e konferencës mes drejtuesve të lartë të shtetit. E drejtuar nga presidenti i Republikës, i ka takuar pikërisht Bujar Nishanit të bëjë nderimet e rastit.

Fillimisht ka mbërritur shefi i opozitës Lulzim Basha, i cili ka shtërnguar duart me presidentin Nishani e më pas kreu i Kuvendit Ilir Meta, që është përshëndetur duke shtërnguar duart me Bashën, Nishanin dhe Ramën.

Por ndonëse të ndarë nga pak metra, lideri i mazhorancës dhe kryetari i opozitës kanë preferuar që të qëndrojnë në distancë, qoftë edhe formalisht. Kreu i qeverisë, Rama, ka preferuar të takohet vetëm me Nishanin duke evituar një shtrëngim duarsh të munguar me Lulzim Bashën.

Momenti kur secili nga katër protagonistët duket duke shtrënguar duart me personin me të cilin politikisht ndihet më afër dhe më komod është fotografia më e qartë jo vetëm e ndasisë për reformën, por edhe e asaj për të gjitha çështjet e tjera të nxehta, të vogla e të mëdha.

Por kjo ishte vetëm pjesa e politikës, sepse edhe gjyqësori me të gjithë kusuret e tij qëndronte përballë. Ndonëse jo në karriket e para si nënkryetari i KLD-së Elvis Çefa, mbi të cilin ka nisur një proces shkarkimi nga Parlamenti, në rreshtin e katërt ndodhej edhe Gjin Gjoni, gjyqtari më i famshëm i momentit për bëmat e tij gjyqësore dhe jo vetëm.

Përplasjet me mazhorancën pas kërkesave të ministrit Nasip Naço për shkarkim, nisur nga akuza për fshehje të pasurisë në qindra milionë lekë dhe rezistenca që bashkë me një pjesë të KLD-së ai i ka bërë shkarkimit të tij, e kanë kthyer edhe zotin Gjoni në një protagonist më shumë politik sesa gjyqtar.

Edhe pse vetë Gjin Gjoni është një nga argumentat e fortë të mazhorancës për domosdoshmërinë e ndryshimit në gjyqësor, ai ka qenë i pranishëm duke dëgjuar kritikat e Ramës për drejtësinë dhe fjalimet e të gjithë udhëheqësve të lartë të shtetit për nevojen e reformës në këtë sektor dhe në KLD në veçanti.

Në përfundim të konferëncës, kryeminsitri Edi Rama është larguar nga e majta e sallës duke mos u përshëndetur me askënd. Ndryshe nga kryeministri, kreu i opozitës Lulzim Basha, teksa i drejtohej daljes së sallës Akernia, nuk ka ngurruar të shtërngojë duart me disa gjykatës e prokurorë, të cilët janë ndjerë komod nga shkëmbimi i përshëndetjeve të rastit.

Top Channel