FSHF kundër federatës serbe: Biletat për të gjithë tifozët

06/10/2014 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj kushteve të vëna nga federata serbe për tifozët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin takimin në Beograd më 14 tetor.

“Federata Shqiptare e Futbollit i quan kushtet e vendosura nga ju për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë. Së pari, ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët. Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion për të bërë të tilla regjistrime”, thuhet në letrën e FSHF-së dërguar homologëve serbë.

“Kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar, është shoqëruar nga tifozët e tij kudo në Europë, madje edhe jashtë kontinentit si në Argjentinë apo USA. Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombasve tanë që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, USA, etj, nuk mund t’ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares tonë”, vijohet më tej në deklaratë.

Për arsyet që përmenden më lartë, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë pa kushte. “Biletat e vëna në dispozicion nga ana e Federatës tuaj, ne do t’ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë për të ndjekur ndeshjen Serbi – Shqipëri në Beograd më 14 tetor”, përfundon deklarata.

Reagimi i FSHF-së mbërrin pas vendimit absurd të federatës serbe për të pranuar në Boegrad vetëm shtetasit e Shqipërisë.

Top Channel