Arziko Bregu, 18-vjeçarja që ndeshet si djalë

06/10/2014 00:00

Ajo është një vajzë energjike, që ka zgjedhur të mbajë dorezat e boksit njësoj si meshkujt. Edhe pse vetëm 18 vjeçe, boksierja e parë shqiptare Arziko Bregu premton shumë në disiplinën e pazakontë për një femër.

Me shtatin mesatar dhe shkathtësinë e sportistes, e reja synon të krijojë së shpejti një emër, për të na bërë të gjithëve krenarë. Vajza e ish-mundësit Riza Bregu, prej vitesh jeton në Itali, ku falë mbështetjes së babait ka zbuluar pasionin e saj, boksin.

Dëshira për të kontribuar me elementë të talentuar në vendin tonë, e shtyu ish-sportistin të regjistrojë për herë të parë në Shqipëri, shoqatën e boksit dhe mundjes për femra. Si në të gjitha vendet e botës, ku vajzat kanë vite që boksojnë, Rizai dëshiron që edhe në Shqipëri të krijohet tradita, për të thyer kështu një tabu.

Në fund të muajit të kaluar, Arziko u ndesh në ringun e “Farie Hotit”, duke fituar kështu një ndeshje të vështirë, e cila ishte shumë kuptimplote për të ardhmen e saj, pasi u bë për herë të parë në Shqipëri.

Që në moshë të vogël, sportistja stërvitej rregullisht në palestër, vend që dhe sot e kësaj dite është si një shtëpi e dytë.

Me dashurinë e prindit, Rizai ka marrë përsipër të jetë dhe trajneri i vajzës së talentuar. Specialistët thonë se vajza, që bokson me të majtën, ka një përgatitje fizike të mirë fizike, por për të krijuar një karrierë i duhet shumë punë dhe përkushtim.

Mediat italiane i kanë vënë nofkën “boksierja e bukur”, krahasim që vajza e meriton plotësisht. Pas suksesit të arritur jashtë vendit, me 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, nga 6 ndeshje të luajtura, ajo është optimiste.

Dëshira për të ardhmen? Të përfaqësojë ekipin kombëtar të boksit për femra.

Top Channel